2011-03-10 13:53:05

Selia e Shenjtë në punimet e OKB-së mbi zhvillimin e qëndrueshëm, kërkon që tregu i lirë të vihet në shërbim të së mirës së përbashkët.


Programet e politikat që synojnë arritjen e objektivit të një green economy, në kontekstin e zhvillimit të qëndrueshëm e të zhdukjes së varfërisë, nuk duhet të harrojnë se qëllimi i fundit është promovimi i zhvillimit të gjithanshëm njerëzor. E kujtoi këtë, dje pasdite, në Kombet e Bashkuara, profesor Çarl Klark, pedagog i Ekonomisë pranë St. John’s University, në emër të delegacionit të Selisë së Shenjtë, që merr pjesë në Komitetin e dytë përgatitor për Komisionin mbi zhvillimin e qëndrueshëm.
Zhvillimi ekonomik, i pilotuar nga tregjet ose nga shtetet – theksoi profesori Klark, i cili tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me diskutimin e tij programatik - jo gjithnjë promovon një zhvillim, që është i denjë për njeriun. Nga njëra anë - nënvizoi Përfaqësuesi i Vatikanit - na thuhet se janë pikërisht interesat dhe pangopësia, që e vënë në lëvizje njeriun e se tregu i lirë i ka të gjitha mundësitë ta kthejë vesin privat, në virtyt publik. Na ana tjetër, na thuhet edhe se natyra njerëzore është ajo që bën shoqëria, në një strategji zhvillimi, bazuar mbi institucionet, me shpresë se drejtësia do të jetë e mjaftueshme për nxitjen e zhvillimit. Secili nga këto vizione - shpjegoi profesor Klark - përmban një pjesë të së vërtetës: njerëzit shpesh udhëhiqen nga interesa personale, por si tregjet, ashtu edhe politikat e qeverive, e kanë pushtetin që të punojnë në dobi të së mirës së përbashkët, duke mos e paguar zhvillimin me shpenzimet e të varfërve ose të breznive të ardhshme. Ekonomia ka nevojë për formim objektiv moral, që të mund të funksionojë me korrektësi. Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin e qëndrueshëm e vitit të ardhshëm do të mbahet në qershor 2012, në Rio de Zhaneiro, 20 vjet pas samitit të vitit 1992. Do të ketë dy tema kryesore: atë të green economy – ekonomisë së gjelbër, në rrethanat e çrrënjosjes së varfërisë e të zhvillimit të qëndrueshëm dhe kuadrin institucional për zhvillimin e qëndrueshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.