2011-03-10 14:47:15

El Baradei shpall kandidaturën për president në Egjipt, ku u kremtua funerali i viktimave të dhunës kundër të krishterëve


(10.03.2011 RV)Qindra të krishterë egjiptianë morën pjesë sot në funeralin e shtatë koptëve ortodoksë, që u vranë dje në ndeshjet me myslimanët në Kajro. Kujtojmë se numri i përgjithshëm i viktimave është 13, ndërsa ai i të plagosurve 140. “Ne do të sakrifikojmë shpirtin e gjakun për kryqin” thirrën të pranishmit në fund të funksionit kishtar në kishën e Samaan al-Kharazit, ndërtuar brenda një shpelle. Disa mbanin në duar parrulla ku shkruhej: “Jo sektarizmit, jo vrasjeve” dhe “Lamtumirë martirëve të Krishtit”.
Ndalimi i dhunës është një gur prove i rëndësishëm për Këshillin e Lartë të Forcave të Armatosura, i cili dëshiron të organizojë zgjedhjet e reja brenda gjashtë muajsh. Dje, u mblodh për herë të parë, qeveria e re e pas Mubarakut, e cila premtoi të rivendosë rendin. Ndërkaq, çmimi Nobel për Paqen, ish-drejtor i Agjensisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Mohamed El Baradei deklaroi sot se do të kandidohet në zgjedhjet presidenciale. Ai i quajti “sipërfaqësore” amendamentet mbi Kushtetutën, hartuar nga komisioni përkatës dhe premtoi se do të rilidhë marrëdhënie me Iranin. Sipas tij, Kushtetuta duhet rishkruar nga fillimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.