2011-03-09 17:05:28

Papa ia kushtoi audiencën e përgjithshme Kreshmëve, duke kujtuar se agjërim do të thotë të heqësh dorë nga e keqja; lëmoshë, të bësh mirë!


(09.03.2011 RV)Lutje e kthim i zemrës, me shenjat pendestare të agjërimit e të lëmoshës, për t’i dhënë kuptim rrugës, që fillon i krishteri të Mërkurën e Përhime, duke ecur në gjurmët e Krishtit, i cili niset kah Jeruzalemi, për të kryer misionin e tij tokësor. Mbi këto koncepte e përqendroi Benedikti XVI katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, kushtuar Kreshmëve. Në këtë të Mërkure të Përhime, Benedikti XVI i nxiti të gjithë besimtarët të hyjnë në Kohën e Kreshmëve, duke marrë çdo ditë kryqin e vet mbi shpinë e duke ndjekur pas Jezusin, drejt Kalvarit!

Kreshmët janë rrugëtim në gjurmët e Jezusit, që ngjitet në Jeruzalem, vend ku do të përmbushë misterin e mundimeve, të vdekjes e të ringjalljes. Kjo rrugë feje – nënvizoi Benedikti XVI – na kujton se jeta e krishterë është udhë, që duhet përshkuar, e jo ligj që duhet zbatuar. E në këtë udhë ecim pas vetë Jezu Krishtit, që të mund ta takojmë, ta pranojmë, ta ndjekim. Jezusi vijon të na bëjë thirrje: “Në se ndokush dëshiron të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë”:
“Kisha e di se për shkak të ligështive tona, e kemi vështirë të heshtim e të gjunjëzohemi para Zotit, me vetëdijen e krijesave, që varen prej Tij, e të mëkatarëve, që kanë nevojë për dashurinë e Tij. Prandaj Kreshmët na ftojnë ta bëjmë lutjen tonë më besnike, më të thellë e ta meditojmë më gjatë Fjalën e Zotit”.
Është sidomos liturgjia - kujtoi Papa- ajo që na ndihmon të ecim në këtë udhë me Zotin, në gjurmët e ngjarjeve të shëlbimit tonë. Por jo si përkujtim i thjeshtë, si kujtim i ngjarjeve të së kaluarës, sepse në sjelljet liturgjike këto ngjarje shëlbuese bëhen aktuale:
“Të marrësh pjesë në liturgji, atëhere, do të thotë ta zhytësh jetën tënde në misterin e Krishtit, të përshkosh një rrugë, përmes së cilës hyn në vdekjen e në ringjalljen e Tij, për të pasur jetë”.
Kështu u shpreh Ati i Shenjtë, duke kujtuar, më pas, lidhjen e veçantë të Kohës kreshmore me Pagëzimin, përmes të cilit njeriu, i vdekur për mëkatin, bëhet pjesëtar i jetës së re në Krishtin e Ringjallur. Më pas, ftesa për t’u përgatitur sa më mirë, që t’i kremtojmë denjësisht misteret e Pashkëve, duke vënë në jetë praktikat tradicionale: agjërimin, lëmoshën, lutjen.
Të agjërosh nuk do të thotë vetëm të jesh i përkorë në të ngrënë, por sidomos, të jesh i përkorë në forma të tjera. Nuk është, pra, fjala vetëm për ushqimin, por edhe, e kryesisht, për një jetë më të thjeshtë, parë si simbol i jashtëm i realitetit të brendshëm, shpirtëror, i impenjimit tonë që, me ndihmë të Zotit, të heqim dorë nga e keqja e ta jetojmë plotësisht Ungjillin.
Lëmosha është e nevojshme jo vetëm për të pasurit e të kamurit, por edhe për ata, që jetojnë në kushte modeste, madje edhe në varfëri, në mënyrë që, duke qenë të pabarabartë në pasuri e në fatbardhësi, të jenë të gjithë të barabartë në mëshirë e në dashuri të krishterë.
Nuk duhet harruar lutja, pastaj. E e thënë me përvujtëri e përshpirtëri, në sa agjërojmë e japim lëmoshë, në sa jetojmë thjesht, i falim fajtorët tanë e ua kthejmë të keqen me të mirë e jo me të keqe:
Të dashur miq, në këtë rrugë kreshmore, duhet të jemi gati ta pranojmë ftesën e Krishtit për ta ndjekur me vendomëri e pa asnjë lëkundje, duke përtërirë hirin dhe impenjimet e Pagëzimit tonë; ftesën për të hequr dorë nga njeriu i vjetër, që e kemi në shpirt, e për t’u riveshur me Krishtin, duke arritur të përtërirë në ditën e Pashkëve. E kështu do të mund të themi, së bashku me Shën Palin “Nuk jam më unë që jetoj, por është Krishti, që jeton në mua.
Udhë të mbarë kreshmore, të gjithëve!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.