2011-03-09 17:49:05

Papa gjatë riteve të Mërkurës së Përhime, që hapin kohën e Kreshmëve: Bota jonë e ndjenë nevojën e kthimit tek Zoti.


(09.03.2011 RV)Sipas traditës, sot pasdite Papa kryesoi një bashkësi lutjeje në formën e “Stacioneve romake”, që filloi në orën 16. 30 në Kishën e Shën Anslemit në Aventin, për të vijuar më pas, me procesionin pendestar, drejt bazilikës së Shën Sabinës. Benedikti XVI shoqërohej nga kardinajt e prelatët, nga murgjërit benediktinë të Shën Anselmit e Etërit domenikanë të Shën Sabinës, si dhe nga një grup besimtarësh, që ndoqën kremtimin e Meshës shenjte, shoqëruar me ritin e bekimit të hirit e të përhimjes.
Tradita e stacioneve kreshmore romake, shumë e lashtë, kremtohet çdo vit në një nga bazilikat ku ruhen reliket e martirëve, që përbëjnë themelet e Kishës së Romës e që, pavarësisht nga kalimi i viteve, nuk i humbasin kurrë vlerat. Kujtohen, kështu, ata që e dëshmuan Krishtin duke derdhur gjakun e tyre për Të, kujtesë që e nxit çdo të krishterë të përtërijë lidhjen e tij me Ungjillin.
Natyrisht në qendër të kremtimit ishte riti simbolik i kësaj dite, përhimja, dhe fjalët që e shoqërojnë. Rijehoi ftesa për t’u kthyer në rrugën e Zotit e për t’i besuar Ungjillit – gjë që na nxit t’ia hapim gjithnjë shpirtin fuqisë së hirit hyjnor. “Bota jonë e ndjenë nevojën për t’u kthyer tek Zoti, ndjenë se ka nevojë për faljen e tij, për dashurinë e tij, se ka nevojë për një zemër të re”. Kështu pohoi mes tjerash Benedikti XVI në homelinë mbajtur sot pasdite në Aventin.“Kthejuni kah unë me gjithë zemër”- këtë thirrje të Krishtit, nga Leximi i parë i Liturgjisë së kremtimit, marrë nga Libri i Joelit Profet, kujtoi Papa, duke përsëritur ftesën që Zoti i drejton popullit hebraik për një pendim të sinqertë, e jo sa për sy e faqe. Është ftesë hyjnore për pendesë të thellë, për të coptuar zemrën, jo veshjet; për të pranuar shenjtërinë, pushtetin, madhështinë e Hyjit. Kthesë plotësisht e mundshme, sepse Zoti është plot me mirësi e me mëshirë.
“Pajtohuni, prandaj me Zotin”- ishte ftesa e Papës drejtuar besimtarëve, bazuar tek Leximi i dytë, shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Korintianëve (2 Kor 5,20). Ftesë për të qenë ambasadorë të Atit qiellor, në emër të Krishtit; ftesë për t’u pajtuar me Zotin; për të përsëritur, siç bën ambasadori, atë që ka dëgjuar nga Zotëria, duke folur me autoritetin e tij, në shërbim të mesazhit, që i është ngarkuar të transmetojë e jo të interesave të veta. E pikërisht sot është çasti i përshtatshëm për këtë transmetim; sot është dita e shëlbimit, dita në të cilën duhet t’ia hapim zemrën Zotit e të japim dëshminë tonë ungjillore, duke e konsideruar veten si mesazh të gjallë, si i vetmi Ungjill, që njerëzit e sotëm mund ta shfletojnë, ta lexojnë, ta njohin. Kjo është përgjegjësia jonë, në gjurmët e Shën Palit.
“Ruajuni nga praktikimi i drejtësisë suaj para njerëzve, për t’u admiruar prej tyre!”. Ësht ftesa e tretë e Papës, buruar nga faqja e sotme e Ungjillit të Shën Mateut (Mt. 6,1). Lëmosha, lutja e agjërimi karakterizonin edhe hebreun, që praktikonte Ligjin. Por ky praktikim, me kalimin e kohës, ishte mbuluar nga ndryshku i formalizmit, e deri në atë masë, sa të shndërrohej në simbol epërsie. Kur njeriu kryen një vepër të mirë, pothuajse vetvetiu, ndjen dëshirën të nderohet, të admirohet. Po Jezusi nuk kërkon nga ne respektimin formal të një ligji të huaj për njeriun, që peshon si barrë e rëndë, që imponohet nga një ligjvënës i padëshirueshëm. Jezusi na kërkon të jemi të mëshirshëm jo hir të vetvetes, por të Atij, që di të lexojë e të shohë edhe në fshehtësinë e zemrave.
Ta nisim, pra, me besim, udhën kreshmore. T’ia hapim zemrën vullnetit hyjnor, në sa ecim kah Pashkët e Krishtit.
“Virgjëra Mari na priftë në udhën kreshmore”, që ta njohim gjithnjë më thellë Krishtin, të vdekur e të ringjallur; na u bëftë krah në betejën shpirtërore kundër mëkatit e na ndihmoftë të lutemi me gjithë zemër: “Na kthe në rrugën tënde, o Zot, shpëtimi ynë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.