2011-03-09 17:49:34

Në Egjipt, dhunë ndërmjet koptëve e myslimanëve në Kajro


(09.03.2011 RV)Kthehet tensioni ndërfetar në Egjipt, pas ndeshjeve të dhunshme të djeshme, ndërmjet të krishterëve e myslimanëve në Kajro. Numri i viktimave ka arritur në 13, ndërsa 140 të tjerë janë plagosur.
Nagib Xhibrail, avokat i një shoqate koptësh egjiptianë, i akuzoi sot myslimanët se kanë shtënë mbi demonstruesit e krishterë, të cilët, për të tretën ditë rresht, protestonin para televizionit publik për djegjen e kishës në rajonin e Heluanit. Djegja qe reagimi ndaj lidhjes së një myslimani me një të krishterë. Ndërkaq, atë Johana i kishës së Shën Marisë Virgjër, pranë vendit ku u zhvilluan ndeshjet, deklaron se është ushtria përgjegjëse për të shtënat.
Një burim zyrtar anonim konfirmoi vdekjen e gjashtë koptëve dhe të pesë myslimanëve. Nuk është i qetë as sheshi i famshëm Tahrir, ku edhe sot, manifestues kundër ish-presidentit Mubarak u ndeshën me të tjerë pro-Mubarak.







All the contents on this site are copyrighted ©.