Magjisteri i Benediktit XVI kushtuar armës së lutjes për të mundur dyshimet e fesë.
“Në se nuk do të ishte mëshira vigjilente e Hyjit, më duket se sapo ta njihte mirë
vetveten, njeriu do të kthehej përsëri në baltën, prej nga ka dalë”. Ky fragment
është shkëputur prej njërit nga romanet më të njohura të letërsisë franceze, titulluar
“Ditar i një famullitari fshati”. Ishte viti 1936, kur bota njohu tronditjet shpirtërore
të famullitarit të Ambrikur-it, krijuar nga penda tejet e ndjeshme e Bernanos. Në
fjalët e këtij meshtari, që u bë, më pas, edhe personazh filmi – e që iu paraqit si
shembull Papës e bashkëpunëtorëve të tij gjatë ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve,
në Vatikan, ndjehet jehona e luftës së rreptë shpirtërore e, sidomos, nevoja e sundimit
të vetvetes, e pranisë së një force më të madhe, që çdo i krishterë, sidomos besimtari
i shuguruar e ndjen, përballë provave, të cilat nuk mungojnë gjatë gjithë jetës. E
Benedikti XVI i ka kushtuar shumë faqe të magjisterit të tij, pikërisht luftës kundër
tundimit e përgjigjeve që i kundërvë feja. Në lutjen e fundit të Engjëllit të
Tënzot, Papa e quajti periudhën e Krezhmëve, kohë e ‘grahmave shpirtërore’, që duhet
jetuar, ashtu si e jetoi Jezusi në shkretëtirë. “Krishti erdhi në botë, që të
na çlirojë nga mëkati e nga joshja e dyshimtë për ta planifikuar jetën tonë, pa pyetur
fare për Zotin. Ai nuk e bëri këtë me shpallje të bujshme, por duke dalë vetë përballë
Tunduesit, deri në Kryq. Ky shembull vlen për të gjithë: botën mund ta përmirësojmë,
duke nisur nga vetvetja, duke ndryshuar, me hir të Hyjit, çka nuk shkon në jetën tonë
(21 shkurt 2010). E kjo vlen posaçërisht në kohën e Krezhmëve. I krishteri duhet
të ngjeshë armët e fesë: lutjen, pendesën, dëgjimin e Fjalës, që shëlbon. Duke e ditur,
siç do të thoshte famullitari i Bernanos, se edhe vetëm dëshira për t’u lutur, është
bërë tashmë lutje: “Krezhmët duhet të jenë edhe kohë agjërimi, pendese e kohë,
që na kujton se duhet ta ruajmë fort vetveten, me bindjen se lufta kundër mëkatit
nuk mbaron kurrë, sepse tundimi është realitet i çdo dite, ndërsa ligështia e besimi
i kotë tek vetvetja, përvojë, që e jetojnë të gjithë. Në fund, përmes lëmoshës, Krezhmët
duhet të jenë rast i përshtatshëm për t’i ndarë së bashku me vëllezërit dhuratat,
që kemi marrë, e jo më pak, rast për t’i kushtuar vëmendje të veçantë nevojave të
njerëzve të varfër e të braktisur”(1 mars 2006). Në këtë luftë të përditshme
kundër ligështisë, në dëshirën për t’ia hapur zemrën njeriut që vuan, duke ia mbyllur
egoizmit, njeriu shikon menjëherë rrugën e vetme drejt ringjalljes, në gjurmët e
Jezusit. E kjo rrugë – shpjegon Benedikti XVI – kalon nga tundimet e shkretëtirës
së Judesë, tek shndërrimi në Malin Tabor, siç na rrëfen Ungjilli i së Dielës II të
Krezhmëve: “Lufta e Jezusit kundër Tunduesit, është prelud i duelit përfundimtar
të Mundimeve, ndërsa ndriçimi i korpit të tij të shndërruar, i paraprin lumnisë së
Ngjalljes. Nga njëra anë shikojmë Jezusin si njeri i vërtetë, që provon, ashtu si
ne, edhe tundimin; nga ana tjetër, kundrojmë Birin e Hyjit, që e hyjnizon natyrën
tonë njerëzore. Në këtë mënyrë mund të themi se këto dy të diela janë, simbolikisht,
dy shtylla, mbi të cilat mbështetet e tërë ndërtesa e Krezhmëve, deri tek Pashkët,
madje dhe e tërë struktura e jetës së krishterë, që ka në thelb gjallërinë e
Pashkëve, të cilat na çojnë nga vdekja, në jetë” (17 shkurt 2008). E në horizontin
e luftës kundër të gjitha gjërave, që na largojnë nga Zoti, duhet kujtuar vetëdija
e faljes. Juda Iskarioti – vëren Papa gjatë një audience të përgjithshme të 2006-tës
- e shkatërroi vetveten, i dëshpëruar nga mosbesimi në mundësinë e mëshirës. Shkruan
në Ditarin e vet, famullitari i katundit: “Mëkati kundër shpresës: më vdekjeprurësi
ndërmjet të gjitha mëkateve e, ndoshta-ndoshta, ai që pëlqehet e përkëdhelet më shumë
se gjithë të tjerët”. Ndërsa Papa nënvizon me forcë se nuk duhet të dyshojmë kurrë
në dashurinë e pakufishme të Hyjit për çdo njeri: “Është për ne ftesë, që ta
kemi gjithnjë parasysh atë që thotë Shën Benedikti: ‘Nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën
në mëshirën hyjnore (…) Jezusi e respekton lirinë tonë; Jezusi pret të pendohemi e
të bëjmë kthesë; është i pasur me mëshirë e ndjesë” (18 tetor 2006). Një vetëdije,
kjo, që ndjehet fort edhe në zemrën e trazuar të famullitarit të Bernanos. Në fund
të romanit, famullitari i fshatit, në fill të mortjes, i kërkon zgjidhjen e mëkateve
një miku të vet meshtar, i cili e ka humbur fenë. Duke e parë tronditjen, që pëson
tjetri nga kjo kërkesë, e ngushëllon me fjalët e Shën Terezinës: “S’ka rëndësi! Gjithçka
është hir!”.