Kosovë: Opozita i konsideron të nxituar nisjen e dialogut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kundërshton fillimin e bisedimeve
Kosovë Serbi pa një vendim të Kuvendit të Prishtinës. Sipas tij bisedimet me Beogradin
nuk kanë qenë fare urgjente për Prishtinën dhe qeveria e Kosovës është dashur të presë
vendimin e Kuvendit dhe mbi bazën e vendimit të tij të veprojë dhe jo të ndërmarrë
hapa të ngutshëm.”Ne jemi për atë që çdo gjë të bisedohet, të përcaktohet së pari
në Kuvend, që Kuvendit për çdo gjë t`i jepet llogari dhe Kuvendi të vendosë për çështje
të cilat mund të bisedohet, sepse është një çështje mjaft e rëndësishme. Ne kot themi
se bëhet fjalë për çështje teknike, meqenëse flitet për bisedime në mes dy shteteve,
atëherë ato marrin karakter politik", është shpreh Mustafa. Lideri i LDK-së kujtoi
se Kosova ka prioritete më të rëndësishme me të cilat është dashur të merret qeveria
sesa bisedimet me Serbinë, të cilat sipas tij, janë në interes të Beogradi për të
marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas të
dhënave mbi tryezën e bisedimeve janë trajtuar temat si trafiku ajror, telekomunikacioni
dhe vulat doganore. Shefi i delegacionit serb Borko Stefanoviq, megjithëse fillimisht
deklaroi se takimi i parë me delegacionin e Prishtinës ka qenë "normal dhe gjentil",
megjithatë është shpreh duke thënë se ekipi i Beogradit nuk ka lejuar "çfarëdo devijimi
në bisedime", duke kaluar mbi dallimet të cilat "pala tjetër shpesh ka tentuar
t'i prezantojë"! Sipas Stefanoviqit ekipi i Prishtinës, që numëron tetë anëtarë, tentoi
të theksonte dallimet "terminologjike e narrative" si dhe "interpretimet e historisë
më të re". Ndërsa pala serbe, thotë ai, nuk ka humbur kohë dhe menjëherë ka tentuar
të flasë për çështjet konkrete të cilat do të sjellin mirëqenie për njerëzit në Kosovë.
I pyetur të komentojë faktin se Prishtina është përpjekur që të mos vijë në Bruksel
(dhe se është detyruar nga SHBA-ja e BE-ja) sepse është insistuar për bisedime të
dy shteteve e për dialogun teknik, Stefanoviq vlerësoi se deklarata të tilla shërbejnë
për "përdorim të brendshëm". "Duhet t'i kuptoni. Është e qartë se ç'po ndodh aktualisht
në skenën politike të Kosovës. Gjërat nuk janë të thjeshta dhe ne kemi durim", tha
Stefanoviq.
Sipas gazetës së Londrës, The Financial Times” Kosova humb,
Serbia fiton në rrafshin politik nga këto bisedime të drejtpërdrejta. Kanë
filluar bisedat e para të drejtpërdrejta në mes të Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes
së pavarësisë së Kosovës nga Serbia para tri vjetësh, shkruan gazeta prestigjioze
londineze “The Financial Times” (FT) sot më 9 mars 2011 në faqen e vet online. Pasi
jep prononcime të të dy kryenegociatorëve, Edita Tahirit dhe Borko Stefanoviqit, “The
Financial Times” përkujton dështimin e bisedave të viteve 2006-2007, me ndërmjetësimin
e Marti Ahtisaar-i, emisarit special të OKB-së, që “shtyri SHBAtë dhe shumicën e vendeve
anëtare të UE-së të mbështesin aspiratat shtet formuese të shqiptarëve të Kosovës”.
“Kësaj radhe, Kosova ka më shumë ç’ të humbë, ndërsa Serbia ç’të fitojë në rrafsh
politik”, shkruan korrespondenti i FT-së nga Beogradi, duke konstatuar se të dyja
palët duan të sigurojnë investitorët e huaj dhe të bashkëpunojnë me Perëndimin. Gjykata
Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) shpalli në korrikun e vitit të kaluar se deklarata
e pavarësisë e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, përkujton FT, ndërsa
thekson se Serbia ka fituar simpati te UE-se me rezolutën e përbashkët në Asamblenë
e Përgjithshme të OKB-së në shtator q bën thirrje për “dialog...për t’i përmirësuar
jetërat e njerëzve”. Duke ilustruar mospajtimet që do të diskutohen, FT thotë se Serbia
refuzon të pranojë vulat doganore me emërtimin “Republik e Kosovës”, duke insistuar
në referencën “UNMIK”. Për pasojë, prodhuesit e Kosovës nuk mund të transportojnë
mallrat e veta nëpër Serbi. Të dyja shtetet janë pa dalje në det, por Serbia kufizohet
me UE-në, shkruan FT. Sipas gazetës “vula me emërtimin “Kosovë” mund të jetë e pranueshme
nga të dyja palët, ka thënë një diplomat kosovar”, që nuk përmendet me emër. Duke
dhënë një ilustrim tjetër të llojit të kompromisit që mund të gjejnë Kosova dhe Serbia
në bisedime, FT thotë se Kosova ka kryesinë e CEFTA-së, një grupi të shteteve të Evropës
juglindore që synojnë anëtarësimin në UE. “Zyrtarëve të vendeve të CEFTA-s mund t’u
duhet të mbajnë thjesht shenja me emrat e tyre personalë, pa tituj apo emra të shteteve”,
konstaton gazeta londineze. Ndër temat për diskutim përfshihen telefonia mobile, aviacioni
dhe targat e automjeteve – “fusha ku pritet të ngrihet çështja e vështirë e sovranitetit”,
përfundon FT.