2011-03-08 16:34:45

Rebelët refuzojnë bisedimet me Gedafin, por e sigurojnë se do të shpëtojë, nëse largohet brenda 72 orëve


(08.03.2011 RV)Në Libi, kryengritësit i japin 72 orë Muhamar Gedafit për të lëshuar postin e për t’u larguar nga pushteti. Në këtë rast, sipas deklaratës së presidentit të Këshillit kombëtar libian në Bengazi, Mustafa Abd al Zhalil, ai nuk do të hidhet në gjyq e nuk do të akuzohet për asgjë. Gjithsesi, si rebelët, ashtu edhe vetë Gedafi, njoftuan se nuk ka asnjë lloj dialogu ndërmjet tyre.

Sot paradite, kryengritësit bombarduan me artileri zonën pranë qytetit të Zauijës, 40 km larg Tripolit, drejt kufirit perëndimor me Tunizinë. Duke shfrytëzuar 8 marsin, festën e gruas, Rrjeti i Ulemave të lirë libianë deklaroi se bashkëndan objektivin e OKB-së për t’u dhënë grave të njëjtat mundësi me burrat dhe bëri thirrje që burra e gra, sëbashku, të luftojnë për një Libi të lirë e demokratike.

Përmes Agjensisë katolike Fides, edhe Vikari Apostolik i Tripolit, imzot Gjovani Inoçenco Martineli bëri thirrje për gjetjen e një formule negociatash, duke shfrytëzuar strukturat e kulturës beduine, që e ndihmojnë pajtimin. “Ekzistojnë mjete më të frytshme se dhuna”, theksoi imzot Martineli, i cili kërkoi ndalimin e gjakderdhjes.

Sot, kreu i Komisionit Evropian, Barroso deklaroi para Europarlamentit në Strasburg se Bashkimi Evropian mbështet aspiratat për demokraci të Mesdheut jugor. Kolegji i komisarëve ka miratuar një sërë masash, që Barroso do t’i paraqesë të premten para krerëve të shtetit e të qeverive, të cilët do të takohen në një mbledhje të jashtëzakonshme në Bruksel, për të vendosur si duhen ndihmuar vendet e Mesdheut jugor në procesin e tranzicionit drejt demokracisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.