2011-03-08 17:08:32

Libi: Konferenca Islamike kundër Gadafit


Edhe Organizata e Konferencës Islamike iu bashkua thirrjeve Ndërkombëtare për vendosjen e zonës së ndalim-fluturimit mbi Libi, si përgjigje ndaj sulmeve ajrore të forcave besnike të Moamer Gadafit kundër pozicioneve të kryengritësve. "Ne i bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që ta bëjë detyrën e vet", tha sekretari i përgjithshëm i OKI-së, Ekmeledin Ihsanogllu, në hapje të samitit të jashtëzakonshëm të organizatës 57 anëtarëshe në Xheda të Arabisë Saudite.
Shtyhet për të shtunën mbledhja e emergjencës e ministrave të Jashtëm të Vendeve të Lidhjes Arabe, e parashikuar për këtë të premte në Kajro. Kështu njoftoi zëvendëssekretari i Lidhjes, Ahmed Hilli. Shtyrja është bërë me kërkesën e disa ministrave.
Franca e Britania kanë kërkuar autorizimin e Kombeve të Bashkuara për zonë të ndalim-fluturimit mbi Libi. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen, gjithashtu, e ka theksuar autorizimin nga Kombet e Bashkuara. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, është shpreh kundër ndërhyrjeve ushtarake duke shtuar se libianët "duhet vetë t'i zgjidhin problemet e tyre".







All the contents on this site are copyrighted ©.