2011-03-08 17:08:53

Bregu i Fildishtë drejt luftës civile


(08.03.2011 RV)Keqësohet gjendja në Bregun e Fildishtë, ku sipas Kombeve të Bashkuara, mund të shkohet drejt luftës civile, si në vitin 2002. Dje, grupi i rebelëve që mbështet Alasan Ouatrën, presidentin e zgjedhur në nëntor e të njohur nga bashkësia ndërkombëtare, fitoi qytetin e tretë. Ndërkaq, ish-presidenti Laurent Gbagbo refuzon të lerë postin. Sot urdhëroi që tregtia e kakaos, burimi kryesor i ekonomisë së vendit, të kalojë nën kontrollin shtetëror. Në këtë mënyrë, ai shmang mundësinë e financimit për qeverinë e Ouatrës.
Ndërkaq, 450 mijë vetë detyrohen të largohen nga shtëpitë për shkak të ndeshjeve me armë. Numri i refugjatëve të ikur në Liberi ka arritur në 75 mijë vetë, 200-300 mijë janë grumbulluar në Abigjan, ku gjendet qeveria e Ouatrës, ndërsa 70 mijë të tjerë janë shpërngulur në perëndim të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.