2011-03-07 17:00:17

Shqipëri: Kryeministri Berisha kujton 7 marsin Ditën e Mësuesit


"Mësuesit mbeten promotorë kryesor në formimin e vlerave demokratike të Shqipërisë dhe në ndërtimin e së ardhmes së vendit", tha sot Kryeministri i Vendit Sali Berisha në mesditë në një pritje për mësues dhe pedagogë në ambientet e Pallatit të Brigadave me rastin e 7 marsit.
Duke shprehur nderimin e tij për misionin fisnik të mësuesit, Berisha tha se "edukimi i brezave të rinj është puna më fisnike për të ardhmen e një kombi".
"Me misionin tuaj fisnik ju i hapni fëmijëve dyert e shtëpisë më madhështore që njerëzimi ka ndërtuar në të gjitha kohërat, shtëpisë së dijes. Ju i transmetoni atyre vlerat më të arrira të qytetërimit tonë dhe nga puna juaj varet suksesi i brezit të ri", tha Berisha.
Mësuesit janë krijuesit e së ardhmes, tha Berisha, ndërsa shtoi se "procesi i edukimit të brezave është faktori më vendimtar në konsolidimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë së kombit shqiptar".
Berisha theksoi se mësuesit kanë kontribute thelbësore në formimin e qëndrimit demokratik të individit, pasi ata përçojnë tek të rinjtë, dritën e vokacionit perëndimor për ndërtimin e Shqipërisë europiane. "Për këtë dritë kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër Shqipëria dhe shqiptarët dhe jo për flakët e shisheve molotov në rrugët dhe ndërtesat e këtij vendi", tha ai.
Berisha garantoi se "qeveria shqiptare do të bëjë çdo gjë për të mbështetur mësuesit në përmbushjen e këtij misioni". Duke u ndalur te reformat e ndërmarra gjatë 5 viteve të fundit, Berisha theksoi se "qeveria ka dëshuar qartë vlerësimin ndaj rolit qendror të mësuesit, me zhvillimin e botës intelektuale të vendit dhe zhvillimin në tërësi të Shqipërisë".
"Ne kemi dyfishuar rrogat për mbi 40 mijë mësues, kemi ndërtuar mbi 1200 shkolla dhe ia dolëm të shtrijmë internetin në çdo shkollë të vendit. Falë përpjekjeve tuaja, këtë vit, rreth 90 për qind e të gjithë nxënësve që mësojnë në klasat e 9-ta u ulën në bankat e shkollave të mesme dhe ky është një nga treguesit më të shkëlqyer dhe të rëndësishëm që dëshmon që kjo shoqëri po ecën me hapa të shpejta drejt edukimit dhe arsimimit. Këtë vit ne ia dolëm që 70 për qind e të gjithë atyre që mbarojnë maturat të ulen në bankat e universiteteve", tha Berisha.
Por, nëse deri tani janë realizuar disa tregues sasior, Kryeministri kërkoi që të ecet përpara pa ndërprerje drejt cilësisë në arsim. "Historia ka faktuar në mënyrë të përsëritur se gara e dijes ka qenë dhe mbetet promotori kryesor i zhvillimit të një kombi dhe shoqërie.
Ne synojmë që në vitin 2017 ta vendosim Shqipërinë në grupin e vendeve të zhvilluara dhe roli juaj në këtë proces është vendimtar", tha në përfundim Kryeministri Berisha.( nga ATSH-ja)

Kryeministri Berisha uron mësuesit me rastin e ditës së 7 marsit -

"Arsimimi i qytetarëve shqiptarë është rruga për të ndërtuar të ardhmen e vendit", tha sot, Kryeministri Sali Berisha duke uruar gjithë mësuesit me rastin e festës së 7 marsit.
Me rastin e kësaj dite, Kryeministri Berisha përuroi gjimnazin "Gramoz Palushi" në Pakuqan, një investim i buxhetit të shtetit me vlerë 660 milionë lekë.
Berisha vurin në dukje se vetëm në Paskuqan, qeveria do të investojë edhe 3.5 milionë dollarë për ndërtimin e 5 shkollave dhe objekteve të tjera infrastrukturore.
"Sot është një ditë nderimi për ata mijëra mësues, që i kanë përkushtuar jetën tyre, edukimit të nxënësve dhe studentëve të vendit. Mirënjohja jonë ndaj tyre është e pakufijshme, sepse ata hapën për ne, dyert e shtëpisë më të bukur që ka krijuar njerëzimi, dyert e shtëpisë së dijes", tha Berisha.
Kryeministri theksoi se "arsimi mbetet përparësi e qeverisë, ndaj dhe çdo vit po përmirësohet edukimi i fëmijëve tanë".
Duke shprehur vendosmërinë për të investuar në arsim më shumë se në çdo fushë tjetër, Berisha deklaroi se "në një hark kohor 5 vjeçar janë dyfishuar rrogat e mësuesve dhe janë ndërtuar mbi 1200 shkolla në mbarë vendin".
"Ne ia dolëm që këtë vit, 91 për qind e të gjithë fëmijëve që mbarojnë klasat e 9-ta të ulen në bankat e shkollave të mesme dhe 70 për qind e maturantëve të ulen në bankat e universiteteve", tha Berisha.
Ai vuri në dukje se "në një hark kohor 4 vjeçar, Shqipëria u shndërrua në vendin e internetit dhe kabineteve të informatikës në çdo shkollë, duke lënë prapa edhe disa nga vendet më të zhvilluara të Europës". Sipas tij, "investimi në arsim është investimi më i rëndësishëm dhe i madh për demokracinë shqiptare, sepse vetëm edukimi është rruga më e sigurt e vlerave të demokracisë".
Nga Paskuqani, Berisha ftoi qytetarët shqiptarë që të votojnë të lirë në zgjedhjet e 8 majit, ndërsa i kujtoi kreut të PS-së, Edi Rama se "pushteti nuk merret me dhunë" dhe se "nuk mund të shkelet vota e lirë". Berisha garantoi se qeveria shqiptare do krijojë të gjithë infrastrukturën më moderne për këto zgjedhje.
Kryeministri garantoi investime të reja për Paskuqanin. "Gjatë 4 viteve që shkuan, ne kemi investuar dhjetra kilometra rrugë në Pakuqan. Unë premtoj se në vitet që vijnë Paskuqani nuk do të ketë as edhe një km rrugë të paasfaltuar dhe do të ketë furnizim me ujë për 24 orë", tha Berisha, që siguroi banorët e Paskuqanit se do të ndërtohet edhe Pallati i Kulturës dhe Pallati i Sportit.
Kryeministri kujtoi se për 2 vite më radhë, Edi Rama bëri gjithçka për të shkelmuar mbi votën e qytetarëve, por mori përgjigjen që meritonte. "Vetëm 1 muaj më parë, partitë e qendrës së djathtë europiane do ti kujtonin Edi Ramës se pushteti nuk merret me dhunë. Faktikisht Shkodra dëshmoi se në zgjedhjet e 2009 është bërë numërimi më korrekt i votave në Europë", tha Berisha.
Kryeministri theksoi se Europa vërtet ndahet në të majtë dhe të djathtë dhe vërtetë ka kundërshtira me njëri-tjetrin, por kurrë për votën. "Ata respektojnë votën dhe vullnetin e qytetarëve dhe nuk tentojnë kurrë të zëvendësojnë votën me dhunën, apo të marrin pushtetin me dhumë si Edi Rama", tha Berisha. (Atsh-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.