2011-03-07 16:56:24

Shqipëri: Berisha paraqet programin elektoral të PD-së e fton PS-në të zbatojë òigjet e procedurat konsensuale


Kryeministri Shqipërisë Sali Berisha deklaroi sot, se "programi elektoral i Partisë Demokratike për zgjedhjet lokale të 8 majit, do të ketë në qendër qytetarin dhe zhvillimin e komunitetit", ndërsa ftoi Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama që "të zbatojë ligjet dhe procedurat konsensuale".
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se fushata elektorale e cila ka nisur "de facto", ka në qendër qytetarin dhe problematikën e tij.
"Kjo është politika më e mirë në këtë fushatë elektorale. Ne kemi në qendër të programit politik shkollat, rrugët, kanalizimet, rrugicat, gjelbërimin, pastrimin dhe potencialet zhvillimore të komuniteteve", tha Berisha.
Duke kërkuar angazhimin total të deputetëve dhe strukturave të PD-së për zgjedhjet lokale, ai tha se "projekti vendimtar i kësaj maxhorance është Shqipëria e zhvilluar". Sipas Berishës, "nuk mund të ketë Shqipëri të zhvilluar pa zhvillim të qëndrueshëm rural", ndaj theksoi se, nuk do të braktiset asnjë zonë e vendit, përkundrazi do të përparësohen të gjitha problemtikat e çdo komuniteti.
"Në rast se në disa rrethe, për qëllime të caktuara kemi bërë edhe investime më të mëdha që kanë qenë plotësisht të justifikuara si investimet në ultësirën bregdetare, ky ka qenë interesi i gjithë shqiptarëve dhe kjo nuk është bërë për t'i kthyer shpinën zonave malore", tha Berisha, që premtoi se, "zonat malore do të jenë në qendër të investimeve të ardhshme të qeverisë".
Kreu i Qeverisë garantoi se "në zgjedhjet e 8 majit, çdo qytetar shqiptar do të votojë me infrastrukturën më moderne" dhe se "do respektohet plotësisht vota dhe vullneti i tyre".
Berisha ftoi Edi Ramën që të lexojë mesazhet e qytetarëve shqiptarë dhe të miqve të Shqipërisë në Europë dhe botë, të cilat i konsiderojnë zgjedhjet lokale, si një provë për qëndrimin ndaj lirisë të forcave politike shqiptare.
"Ftoj Edi Ramën të zbatojë ligjet dhe procedurat që janë votuar në mënyrë konsuesuale në parlamentin shqiptar", tha Berisha.







All the contents on this site are copyrighted ©.