2011-03-07 16:32:51

Përkujtojmë 7 marsin, Ditën e Mësuesit, në 120 vjetorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës


Historia e shkollës shqipe është histori mundimesh e gjaku. Nis që kur vendi dergjej nën thundrën e pushtuesit. Në vitin e largët 6132, meshtarët katolikët hapën shkollën e Kurbinit në afërsi të Krujës, që aso kohe i përkiste vilajetit të Shkodrës. Në të mësohej shkrim e këndim shqip. Si tekste përdoreshin veprat e Bardhit, Budit e Bogdanit. Por ndërsa shënonte sukseset e para, shkolla u mbyll nga pushtuesi osman, që ia kishte frikën më shumë armës së kulturës, sesa pushkëve e topave.
Ishin farët e para të dritës që hidheshin në truallin e papunuar shqiptar, nga të cilat më vonë do të mbinin e do të rriteshin shkollat të tjera krishtare e laike, si shkolla françeskane në Shkodër, e cila përdori që heret shqipen si gjuhë kryesore mësimi – tej ajo që vijon të njihet zyrtarisht si shkolla e parë shqipe, hapur në Korçë më 7 mars 1887 e sa e sa të tjera në veri e jug të trojeve shqiptare e edhe më tej, ndër abëreshët e Italisë e të Greqisë.
Këtë na kujton 7 marsi, shpallur me vendim të qeverisë së Shqipërisë “Ditë kombëtare e mësuesve”, që sivjen shënon edhe 120-vjetorin e hapjes së mësonjëtores së parë shqipe në qytetin e traditave të mirënjohura atdhetare, në Korçën, që Naimi e quan lule, sepse lulja e parë e pranverës së shumëpritur të diturisë.
Mësonjtorja shqipe e Korçës u hap nga një grup rilindasish si shkollë fillore me fizionomi të theksuar kombëtare e laike, ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe e ku edukohej dashuria për atdhe, për dije e për punë. U ndihmua fuqimisht nga patriotët e mërgimit, sidomos nga mërgimtarët e Stambollit, të Egjiptit, të Sofjes e posaçërisht të Bukureshtit, ku u shtypën edhe libratë e parë, pa të cilët nuk mund të flitej për mësonjëtore në gjuhën e një vendi, që nuk kishte libra shkollore. Pandeli Sotiri, Pietro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Parashevi Qiriazi...janë disa nga emrat e mësuesve të parë, që u bënë edhe dëshmorët e parë të arsimit shqip, sepse jo një herë u detyruan ta shkruajnë me gjakun e tyre historinë e shkollës shqipe.
Mësonjëtorja e parë shqipe u shua në moshën 15 vjeçare, por jo pa lënë gjurmë të arta e pa dhënë fryte të mira, mbi të cilat do të ecnin dashuronjës të tjerë të dritës së diturisë. Kësaj drite Naimi, librat e të cilit përdoreshin nga nxënësit e Mësonjëtores, i kushtoi vargjet- programatike për të gjitha kohërat:
“Dhe drit’ e diturisë/ Përpara do të na shpjerë,/ Përpara, drejt lirisë!”.
7 marsi është dita e festës kombëtare të mèsuesve, njerëzve që sot duhet të çojnë përpara, jo pa vështirësi të mëdha shpirtërore e materiale, trashëgimin e çmueshme e të rëndë, të cilën Nikolla Naço Korça, një nga mërgimtarët më të shquar që ndihmuan me të gjitha mjetet për ecjen përpara të arsimit shqip, e pati përkufizuar kështu: “Si trashëm po ju lemë shpirtin tonë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.