2011-03-07 16:51:26

Instituti Demokratik Amerikan: me rëndësi pjesëmmarja e forcave politike në zgjedhje


Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, takoi sot zv/presidenten e Institutit Demokratik Kombëtar Amerikan (NDI), Shari K. Bryan dhe drejtorin Rajonal për Evropën Qendrore dhe Lindore të këtij Instituti, Robert Benxhamin.
Sipas njoftimit për shtyp nga Kuvendi të Tiranës, gjatë takimit znj. Bryan i përcolli kryeparlamentares Topalli përshëndetjet e znj.Madlin Ollbrajt, kryetare e NDI-së, njëkohësisht ish-Sekretare amerikane e Shtetit.
Topali tha se znj. Ollbrajt është një legjendë për të gjithë shqiptarët në Ballkan, pasi me rolin e saj historik në Kosovë, mbështeti lirinë dhe të ardhmen e tyre euroatlantike.
Duke u ndalur tek zhvillimet politike, Jozefina Topalli theksoi se më 21 Janar, sulmet me dhunë ndaj qeverisë dhe institucioneve legjitime, mbetën tentativa të dështuara të një grupi elementësh kriminale që nuk përfaqësojnë PS-në dhe vizionin politik, por vetëm krizën e lidershipit të saj. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Parlamenti ka vijuar axhendën e tij të ngjeshur, në miratimin e reformave për integrim evropian, pavarësisht përpjekjeve dhe tentativave për ta bllokuar jetën parlamentare.
Në këtë pikë drejtuesit e NDI u shprehën se Parlamenti është institucioni themelor i debatit dhe qëndrimeve politike të partive për hartimin e ligjeve, në të mirë të vendit. Kryetarja e Kuvendit konfirmoi angazhimin e Parlamentit, qeverisë dhe institucioneve për zgjedhje të lira dhe të ndershme në 8 Maj.
Znj. Bryan theksoi rëndësinë qënësore që ka për Shqipërinë, pjesëmarrja dhe angazhimi i të gjitha forcave politike në zgjedhjet e 8 Majit. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit i kërkoi zv/presidentes së NDI-së, pjesëmarrjen e vëzhguesve të këtij Instituti në zgjedhjet e 8 Majit, për t'iu bashkangjitur grupeve të shumta të vëzhguesve ndërkombëtare dhe atyre shqiptarë, që do të monitorojnë votimet.







All the contents on this site are copyrighted ©.