Furia e Gedafit në Libi. OKB-ja kërkon 160 milion dollarë për ndihma tremujore
Tashmë është luftë e hapur në Libi. Ngadalë, por në mënyrë të pashmangshme, ushtria
libiane përparon drejt lindjes, përgjatë rrugës strategjike në breg të Mesdheut, në
kundërofensivën e nisur për t’i bërë kryengritësit të dorëzojnë armët. OKB-ja kërkon
ndalimin e sulmeve kundër civilëve, por po bëhet gjithnjë e më e realizueshme hipoteza
e krijimit të një zone mosfluturimi ajror, apo “no-fly zone”, pas mbështetjes, që
i dha kësaj ideje Lidhja Arabe. Sipas presidentit Obama, NATO po shqyrton mundësinë
ushtarake. Për krizën e Libisë NATO-ja është duke konsideruar “një sërë zgjedhjesh
të mundshme, përfshirë edhe atë ushtarak”. Kështu tha presidenti i SHBA-së, Barak
Obama, pas një takimi me kryeministrin e Australisë Julia Gillard. Italia, vendi
evropian, që ndoshta e njeh Libinë më mirë se të tjerët, është lidhur me rebelët,
por pa bujë, në mënyrë që të mos krijohet konfuzion mbi qëllimet e mbi mjetet e Romës.
Në Bengazi arriti anija patrullë e Marinës Ushtarake Italiane “Libra” me ushqime e
gjëra të tjera të nevojshme për popullsinë. Ndërkaq, gazeta britanike “The Indipendent”
zbulon një plan amerikan për të furnizuar kryengritësit me armë përmes Arabisë Saudite.
Pasi
rifituan Bin Xhauadin, forcat besnike të Gedafit përparojnë drejt qytetit naftëmbajtës
të Ras Lanufit. Aviacioni ka bombarduar disa herë zonën përreth. Është bombarduar
edhe Axhedabia, një nga zonat kryesore në duart e rebelëve në Cirenajkë.
OKB-ja
ka kërkuar 160 milion dollarë për të ndihmuar refugjatët dhe popullsinë libiane për
3 muaj. Sipas llogarive të Kombeve të Bashkuara, 400 mijë vetë do të largohen nga
Libia, ndërsa 600 mijë të tjerë do të shpërngulen brenda përbrenda vendit.
Karitasi
i Tripolit bën thirrje të ndihmohen refugjatët afrikanë, që kanë mbetur në kryeqytet,
për të cilët nuk kujdeset askush. Ata vijnë nga Eritrea, Etiopia, Somalia e vende
të tjera të Afrikës sub-sahariane, ku kanë qenë të persekutuar. Të dëgjojmë përgjegjësin
e Karitasit Italian për fushën ndërkombëtare, Paolo Beçegato: Sapo kemi kontaktuar
e sapo kemi marrë një raport të detajuar mbi Libinë dhe Egjiptin, si edhe mbi kufirin
ndërmjet Libisë e Tunizisë, mbi ngjarjet në jug të Libisë, drejt Nigerit e Çadit.
Jemi shumë të shqetësuar për gjendjen e emigrantëve, pra të personave që punonjnë
në Libi, por nuk janë vendas. Në veçanti, mijëra aziatikë – bengalezë, pakistanezë
e filipinas – janë në kushte shumë të vështira, pasi nuk dinë ç’të bëjnë e ku të shkojnë.
Një grup i dytë problematik është sub-saharian. Njerëzit nuk mund të kthehen në vendin
e tyre, sidomos në Mali e në Sudan, pasi duhet të kalojnë shkretëtirën në jug e transporti
nuk funksionon. Problemi tjetër ka të bëjë me të gjithë ata njerëz, që arrijnë të
dalin nga Libia, në kufirin me Tunizinë, ose Egjiptin e nuk gjejnë përfaqësues nga
konsullata, apo nga ambasada, që t’u japë informacion e t’u tregojë se ç’duhet të
bëjnë. Po përpiqemi të kontaktojmë qeveritë – ia kemi arritur për shembull me Bangladeshin
– që të venë në dispozicion personelin e ambasadave. A është i pranishëm Karitasi
në Libi, pas ikjes së shumë organizatave ndërkombëtare? Po, në Libi ekziston
një Karitas i vogël, që po punon sidomos për refugjatët dhe emigrantët, në veçanti
për bashkësinë e madhe nga Eritrea. Veprimtaria zhvillohet kryesisht në Tripoli. Pastaj,
ka grupe e misione, që ndodhen në kufi me Egjiptin e me Tunizinë; një pjesë tjetër
siguron mikpritjen e personave, që drejtohen në jug. Nevojat janë shumë të mëdha.
Flitet për rreth 100 mijë vetë, që kanë ikur drejt perëndimit e po aq drejt lindjes,
pra drejt Egjiptit. Shohim me sy valët, që po vijnë drejt veriut e nuk flitet aspak
për ata, që shkojnë në jug e u duhet të kapërcejnë shkretëtirën.