2011-03-06 14:50:30

Shën Pelini, shenjti nga Durrësi, u vendos në kishën e martirëve në Blinisht të Shqipërisë


Pasi u bekuan në Avecano të Italisë, busti, me reliken e Shën Pelinit, shenjt shqiptar i lindur në Durrës, u dërguan në dioqezën e Sapës në Shqipëri, të shoqëruara nga një delegacion kishtar, i cili qëndroi në vend nga data 3 deri më sot, 6 mars. Në delegacion, përveç ipeshkvijve të Avecanos e të Sulmonës, bënte pjesë edhe don Antonio Sharra, që ka qenë misionar “Fidei Donum” në Blinisht e një grup nga shoqata “Rindërtimi” e Avecanos, gjithnjë në vijën e parë të frontit për të ndihmuar banorët e Zadrimës.
Aktivitetet kryesore për t’ia kthyer këtë shenjt Shqipërisë u bënë të shtunën, pra gjatë ditës së djeshme në Blinisht, ku do të qëndrojë edhe shën Pelini në kishën kushtuar shenjtorëve dhe martirëve shqiptarë. Busti prej druri dhe reliket u vendosën në këtë kishë, pikërisht kur u përkujtua martirizimi i birit të Blinishtit, atë Daniel Dajanit nga komunistët, më 4 mars 1946, së bashku me atë Gjovani Faustin, atë Gjon Shllakun e seminaristin Mark Çuni. Të premten, në praninë e bustit dhe të relikeve të shenjtit, u kremtua mesha në katedralen e Vaut të Dejës, ku homelinë e rastit e mbajti ipeshkvi i Sapës, imzot Lucian Avgustini.
Mes të tjerash, imzot Avgustini tha: “Urojmë, që shenjti me prejardhje nga Durrësi, shën Pelini si dhe martirët tanë që sot po i kujtojmë në ditën e tyre të pushkatimit të ndërmjetësojnë pranë Hyjit për vendin dhe popullin tonë, posaçërisht që t’u shndrisë mendjen të gjithë atyre, që e kanë për detyrë dhe përgjegjësi të angazhohen për të mirën dhe mirëqenien e vendit dhe popullit që të punojnë me dashuri dhe drejtësi”.
Kujtojmë se janë pikërisht dy profesorë të dioqezës së Marsikës në Itali, ata që kanë zbuluar se shën Pelini, emrin e të cilit e mban një fshat abrucez, ka lindur në Durrës, por pasi ka qenë ipeshkëv i Brindizit, është martirizuar në Korfinio të Abrucos, në kohën e Julianit apostat.







All the contents on this site are copyrighted ©.