2011-03-06 14:49:17

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(06.3.2009 RV)Sot, 6 mars Kisha kremton të dielën e 9-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik, e po sot 6 mars përkujtohet edhe e Lumja Roza nga Viterbo, virgjër françeskane dhe Shën Koleta Boilès, themeluese e klariseve të varfra. Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.

Nesër e hënë 7 mars, kalendari kishtar përkujton Shenjtoret Perpetua e Feliçita. Liturgjia e ditës na kujton se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve për të shijuar më pas ringjalljen në Krishtin Zot.

Të martën më 8 mars, kisha kremton festën e Shën Gjonit të Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve.
Liturgjia e kësaj së kremteje na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, mund të na çojë drejt humbjes së tyre. Fati në jetën e pasosur qiellore varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote, që na i ka dhuruar Zoti.

Më 9 mars bie e Mërkura e Përhime, që shënon fillimin e kohës liturgjike e shpirtërore të Kreshmëve, e cila paraprin e përgatit festën themelore të fesë së krishterë: mundimet, kryqëzimin me vdekje e ngjalljen e Zotit tonë Jezu Krishtit. E mërkura e Përhime është ditë lutjeje e agjërimi. Me të Mërkurën e Përhime nisin edhe meditimet e kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të agjërojmë e të kthehemi në rrugën e Hyjit, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë.

Po më 9 mars nga kalendari kishtar përkujtohet edhe Shën Françeska romake, themeluese e Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet Martirët e Sebastes dhe Shën Katerina e Bolonjës.

Të enjten e ardhshme, kalendari kishtar përkujton Shën Simpliçin, papë dhe Shën Gjoni Ogjilviè, meshtar jezuit e martir. Liturgjia e ditës na kujton se vëmendja e Jezusit për mëkatarët e shkandullon njeriun, i cili e mban veten të drejtë. E prandaj shembëlltyra e Djalit plangprishës e vë theksin mbi gëzimin për shpëtimin e birit të humbur e të rikthyer tek ati e jo mbi gabimet e djalit.

Të premten, më 11 mars, kalendari kishtar do të përkujtojë Shën Maksimilianin, martir e Shën Inoçencin, papë. Liturgjia e ditës na kujton se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen e vetdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvujtërisht vetveten në dorë të Zotit.

Të shtunën, më 12 mars, përkujtohet Shën Sabini, martir, Shën Patricia, Shën Kristina martire e Shën Leandri, ipeshkëv i Seviljes. Liturgjia e ditës na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se edhe ne falim atë që kemi pranë.

E diela e ardhshme, 13 mars, është e diela Pare e Kohës së Krezhmëve e po më 13 mars përkujtohet edhe Shën Matilda, mbretëreshë dhe i Lumi Plaçido Rikardi, murg.
Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfërin që të lutet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.