Më 6 mars kalendari Kishtar përkujton të Lumen Rozë nga Viterbo.
(06.03.2011 RV)Roza lindi më 1233 nga prindërit Gjoni e Katerina, bujqër të kamur,
që jetonin në Santa Maria in Pogjo. Sapo i kishte mbushur 17 vjet, u sëmur për vdekje.
Një vegim që pati gjatë sëmundjes e nxiti të hynte në të Tretin Urdhër të Shën Françeskut,
duke vijuar të jetojë në familje. Sapo u shërua, nisi të përshkojë rrugët e Viterbos
me një kryq ose një figurë në dorë, duke u lutur me zë të lartë e duke i ftuar të
gjithë ta donin Krishtin, Zojën e Bekuar e Kishën. Askush nuk e kishte ngarkuar ta
kryente një detyrë të tillë. Ndërkaq Viterbo kalonte një periudhë krize, për shkak
të konfliktit ndërmjet Selisë së Shenjtë e perandorit Federiku III. Konflikti përfundoi
me pushtimin e qytetit nga perandori në vitin 1240, pushtim që zgjati deri më 1247. Roza
nisi një fushatë të zjarrtë për të përforcuar fenë katolike, duke iu kundërvënë grupeve
që nuk besonin, në një qytet ku sundonin gibelinët, të lidhur me perandorin e armiq
të papës. Ishte një nismë shpirtërore, por e lidhur ngusht me situatën politike, prandaj
ndërsa ashpërsohej gjithnjë më tepër lufta ndërmjet Guelfëve e Gibelinëve, Roza u
internua së bashku me familjen. U kthye në atdhe vetëm pas vdekjes së Federikut III,
kur Viterbo kaloi përsëri në duart e papës. Por banorët e qytetit nuk e dëgjuan më
zërin e Rozës udhëve. Jeta e vajzës qe tepër e shkurtër. Ajo mbylli sytë më 6 mars
1251. U varros pa arkivol, drejt e në tokë, në varrezën pranë Kishës së Zojës në Pogjo.
Një vit më vonë varri u hap e trupi i së Lumes u gjet krejtësisht i patretur. Më
1252 Papa Inoçenci IV urdhëroi që ky trup të mbartej brënda në Kishë, mendoi ta shpallte
Rozën shenjtore dhe urdhëroi të fillonte procesi kanonik, që nuk filloi kurrë. Kjo
nuk e pengoi famën e shenjtërisë së saj të përhapej aq me shpejtësi, sa në vitin 1457
Kalisti III kërkoi fillimin e një procesi të ri. Por menjëherë pas kësaj kërkese,
Papa vdiq. Gjithnjë më 1457 papa Aleksandri IV urdhëroi që trupi i Rozës të rivarrosej
në kuvendin e klariseve. E ka shumë mundësi të ketë qenë i pranishëm në mbartjen e
relikeve të së Lumes, sepse duke qenë Roma krejt e pasigurtë, papët banuan në Viterbo
deri në vitin 1281. Ndonëse Roza nuk u shpall shenjte me rit solemn, emri i saj u
radhit ndërmjet shenjtorëve në botimin e vitit 1583 të Mesharit romak. Pak nga pak
nisën t’i kushtoheshin Kisha, kapela e shkolla në Itali e vende të tjera, deri në
Amerikën latine. E Lumja Rozë përkujtohet më 6 mars, ditën kur lindi për qiell,
por festimet më të njohura për nder të saj kremtohen në shtator, për të përkujtuar
mbartjen e trupit të së Lumes në Shenjtëroren që i është kushtuar. Prandaj në këto
festime trupi i Rozës, i mbajtur mbi supe, shetitet nëpër rrugët e Viterbos. Në
vitin 1922 papa Benedikti XV e shpalli Rozën pajtore të të rejave të veprimit katolik.
Rozë do të thotë trëndafil, po simboli i së Lumes është një lule tjetër, zëmbaku i
bardhë, simbol i të gjitha virgjërave.