2011-03-06 14:50:18

Atë Lombardi: Myslimani e i krishteri në dhimbjen e bashkëkombasve të tyre në Pakistan


Papa shprehu të enjten dhimbjen e tij të thellë për vrasjen e ministrit pakistanez për Pakicat fetare, Shahbaz Bati, të mërkurën e kaluar. Përmes një telegrami të nënshkruar nga kardinali-sekretar i shtetit, Tarçizio Bertone, dërguar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Pakistaneze, imzot Lourenc Saldanha, Benedikti XVI bën ngushëllimet e rastit e lutet për ministrin Bati, që u vra nga fondamentalistët islamikë në Islamabad.
Bashkësia e krishterë e Pakistanit doli këto ditë në manifestime spontane e u lut së bashku me shumë myslimanë, që deshën të merrnin pjesë në dhimbjen e bashkëkombasve të tyre. Vendi ishte në zi për tri ditë, nga e premtja e deri më sot. Në Islamabad u organizuan procesione me qirinj, me lutje e këngë të përshpirtshme.
Të premten, trupi pa jetë i ministrit u çua në kishën e Zojës së Fatimës në kryeqytetin pakistanez, ku ipeshkvi, imzot Antoni Rafin kremtoi Meshën e dritës. Pastaj, bashkësia e krishterë u mblodh në Kushphur, fshati katolik ku ishte lindur Shahbaz Bati e ku u kremtua edhe funerali, i kryesuar nga ipeshkvi i Faisalabadit, imzot Jozef Kuts.
Vdekja e ministrit pakistanez Shahbaz Bati erdhi pas vrasjes edhe të guvernatorit të Panxhabit, për të njëjtin shkak. Të dy punonin për ndryshimin e ligjit mbi blasfeminë dhe për mospërdorimin e tij kundër të pafajshmëve. Të dëgjojmë komentin javor të zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, që i kushtohet pikërisht këtyre ngjarjeve:
“Që të dy u vranë për të njëjtën arsye: sepse ishin kundër ligjit mbi blasfeminë, një ligj që është ai vetë vërtet blasfem, pasi në emër të Zotit bëhet shkak padrejtësish e vdekjesh. Por njëri ishte msyliman, Salman Taseer, guvernator i Panxhabit; tjetri i krishterë, Shahbaz Bhatti, ministër për pakicat fetare në qeverinë pakistaneze. Që të dy e dinin mirë se vinin në rrezik jetën, pasi ishin kërcënuar qartë me vdekje. E megjithatë, nuk hoqën dorë nga lufta për lirinë fetare, kundër fanatizmit të dhunshëm, duke e paguar këtë me çmimin më të lartë, me gjakun e tyre.
Në fjalimin e tij të rëndësishëm mbi lirinë e fesë, para Trupit Diplomatik në janar, Papa u shpreh me nderim të madh për flijimin e guximshëm të myslimanit Taseer. E pak javë më parë, Bhati pati thënë: “Lutuni për mua. Jam një njeri që lë pas tokë të djegur: nuk mund e nuk dua të kthehem mbrapsht. Do të luftoj ekstremizmin e do të përpiqem për mbrojtjen e të krishterëve deri në vdekje”. Që tani, figura e tij madhërohet si ajo e një dëshmitari me vlerë të fesë dhe të drejtësisë.
Ndërsa dy vrasësit na mbushin zemrën me tmerr e ankth për fatin e të krishterëve të Pakistanit, njëkohësisht, në mënyrë paradoksale, na zgjojnë edhe pak shpresë, pasi bashkojnë një mysliman e një të krishterë përmes gjakut të derdhur për të njëjtën kauzë. Nuk ekziston më vetëm dialogu për njohjen e ndërsjelltë, ose dialogu në impenjimin e përbashkët për të mirën e njerëzve. Nga dialogu i jetës kalohet në dialogun e dëshmisë së vdekjes, paguar me gjak, që emri i Zotit të mos kthehet në mjet padrejtësie.
Duke kujtuar guvernatorin Taseer dhe ministrin Bhati, me mirënjohje të thellë për si kanë jetuar e kanë vdekur, adhuruesit e vërtetë të Zotit do të vazhdojnë të luftojnë – e nëse është e nevojshme, edhe të vdesin – për lirinë e fesë, për drejtësinë e për paqen. A mund të kërkojmë një inkurajim më të madh se ky për rrugën tonë të përbashkët drejt takimit ndërfetar të Asizit?”








All the contents on this site are copyrighted ©.