2011-03-05 09:02:27

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 9-të gjatë vitit 'A' Shtëpia e ndërtuar mbi shkëmb!


Ja përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të meshës së shenjtë të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 9-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Feja është baza e çdo marrëdhënie me Zotin. Bashkëkohësit e Jezusit patën hirin e privilegjin ta shihnin e mundësinë ta takonin personalisht, mirëpo sa prej tyre qenë të vetëdijshëm se kishin para vetes të Birin e Zotit? Koherenca e jetës me atë që besojmë nuk është gjithmonë punë e lehtë. Ungjilli i Mateut që na ofron Liturgjia e Fjalës e kësaj së diele, është një thirrje jo vetëm të besojmë, pra të kemi fe, por edhe ta shndërrojmë në vepra, pra ta mishërojmë fenë tonë në Zotin. Pjesa ungjillore na tregon për ata njerëz që trokitën në portën e mbretërisë së qiellit duke iu lutur Zotit t’ua hapte derën, por nuk do të hynë nëse nuk kanë bërë edhe veprat, që mundësojnë hapjen e portës së Qiellit.
Keshtu, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele e orienton vëmendjen tonë mbi vullnetin e Zotit, që në kohën e Besëlidhjes së Vjetër është transkriptuar apo shkruar në ligjin e vjetër dhe është shpallur nga Moisiu. Jezusi duke përuruar Besëlidhjen e Re insiston mbi urdhrin e dashurisë, e Pali apostull saktëson se me të cilin shpirt e në të cilën dritë duhet ta kuptojmë Ligjin e Zotit.
Para se të hyj në tokën e premtuar, Moisiu ia beson popullit testamentin e vet. Fjala e Zotit, e përmbledhur në urdhërime, duhet të pranohet e të jetohet (mishërohen): kjo është garancia e besnikërisë. Mbi këtë flet leximi i parë i kësaj së diele nga Libri i Ligjit të Përtërirë apo Deutornomia (Dt 11,18.26-28.32).
Shën Agostini pohon se në psalmin 30, që është pjesë e liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, kemi plotësimin e madhërishëm të përqafimit e të shkëmbimit mes Krishtit e njerëzimit.
Shëlbimi i njeriut nuk ka lindur prej veprave njerëzore ( siç është për shembull zbatimi i ligjit), por përmes hapjes së zemrës sonë ndaj fesë, përmes besimit tonë në Zotin, që mbetët gjithmonë një dhuratë falas që kemi marrë nga Hyji e të cilën dhuratë duhet ta kultivojmë, ta ushqejmë çdo ditë e më tepër. Pra, feja është dhuratë hyjnore. Mbi këtë na flet leximi i dytë i kësaj së diele nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve (Rm 3,21-25a.28).
Edhe ne të krishterët sot, jemi të thirrur ta ndërtojmë jetën tonë mbi shkëmb që është Krishti, e jo mbi rërët lëvizëse e rrëshqitëse të modave e opinioneve të kohës…. Mbi rëndësinë e gjetjes së themeleve të vërteta, të sigurta e shëndosha të jetës, kemi porosinë e Krishtit në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga shën Mateu (Mt 7,21-27).
**********
Dëgjues të nderuar, siç lexojmë apo dëgjojmë nga leximet biblike të Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, nuk mund të thuhet se pjesa e Ungjillit nuk është e qartë dhe e kuptueshme: kush e kryen vullnetin e Zotit do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, kush bën keq e jeton në të keqën nuk do të mund hyjë në Mbretërinë e qiellit. Ky është një premtim i saktë shpëtimi e jo hamendjeje. Është siguri e bindje, sepse Zoti është besnik ndaj premtimeve të veta.
Kjo tashmë është shpresa që kemi e që na mbështet, se Krishti e ka shpëtuar botën ( leximi II): këtë Ai e ka realizuar dhe bërë falas, në sajë të dashurisë së Tij që ka ndaj nesh. Për dashuri Jezusi na ka liruar nga mëkati e nga vdekja e përjetshme. E ne jemi shëlbuar jo për meritën e veprave të mira që kemi bërë apo që do ti bëjmë, por në sajë të mirësisë së pakufishme të Zotit Atë, që ka na pajtuar me Të në Krishtin Jezus. Prandaj, akush nuk mund ta kërkojë e as ta pretendojë shpëtimin duke e konsideruar si një të drejtë që i takon.

Mbretëria e qiellit (shpëtimi i përjetshëm) është për ata njerëz që e kërkojnë vullnetin e Zotit dhe Atij i përmbahen çdo ditë me inteligjencë, me zemër, me vullnet e me vepra; ata njerëz që vullnetin e Zotin e zbatojnë me guxim dhe atë e mbajnë si thesar për vete, “si varëse mes syve”, sikur pohoi leximi i parë nga Libri i Ligjit të Përtërirë.

Vullneti i Zotit është dashuri, e ta kryesh vullnetin e Zotit do të thotë të duash. Pa këtë bindje dashurie e bamirësie, shtëpia e fesë rrëzohet e bëhet rrënim duke zbuluar fytyrën e rreme të besimtarit. Pra, pa dashuri njeriu nuk mund të realizohet, pa dashuri njeriu nuk mund ta zbulojë e ta takojë Zotin, pa dashuri njeriu as nuk mund ta shpëtojë jetën. Dashuria është udha e mënyra më e mirë për t’i dhënë kuptim e shije jetës dhe për të arritur kështu cakun përfundimtar të jetës në Zotin.
*********
Leximet biblike të kësaj së diele të 9-të gjatë vitit kishtar, na ofrojnë disa imazhe të dualitetit: udha e bekimit dhe e mallkimit, për çka flet leximi i parë, udha e mëkatit dhe e fesë, për çka flet leximi i dytë, ndërtimi mbi shkëmb e mbi rërë, për çka flet Ungjilli i kësaj së diele. Rrënja e këtyre simboleve është zgjedhja apo përcaktimi i njeriut, zgjedhja e bekimit, e fesë dhe e impenjimit për atë njeri që don të jetë me Zotin e të jetojë në Të. “Tani, derisa ende kemi kohë dhe koha është e jona, le t’ia kushtojmë e dhurojmë veprat e orvatjet të afërmit tanë, e lavdin tonë Zotit “, na porosit Shën Katerina e Sienës.

Po ne e dimë – dëgjues të lexues e nderuar të Radio Vatikanit – se Zoti nuk imponohet por na propozohet. Zoti nuk na obligon por na ofron udhën e jetës. Ai e respekton lirinë tonë e këndej vendimin tonë. Liria është dhuratë e madhe por edhe rrezik i madh, themel vendimtar mbi të cilin njeriu është i thirrur ta ndërtojë ekzistencën. Kundër çdo tundimi të reduktimit të kësaj dhurate të lirisë, si duke e penguar apo duke e kushtëzuar atë, e edhe përmes të ashtu quajturit “për një qëllim të mirë”, Bibla na thërret ta respektojmë gjithmonë lirinë e çdo njeriu. Në anën tjetër ne duhet ta ndihmojnë njeriut të rritet në plotësinë e njohjes e të vullnetit, vetëm kështu pastaj të mund të vendos e të marrë vendimet e veta në liri e ndërgjegje të plotë.

Duhet ta respektojmë lirinë e çdo personi edhe atëherë kur nuk pajtohemi me zgjedhjet e vendimet e tij, duke imituar kështu durimin e optimizmin e Zotit, i cili pret me durim deri në çastin e fundit që njeriu ta kërkojë, të kthehet tek Ai, madje edhe duke kaluar përmes shtigjeve e udhëve absurde që pastaj më në fund në një farë mënyre e sjellin deri te takimi i tij përfundimtar me Zotin.
Kënga e fesë, kryevepër e shën Palit, që kemi në leximin e dytë të kësaj së diele, është rimarrë nga shën Mateu me vizualizimin e fjalës hebraike të fesë, ‘amen’, që do të thotë “të ndërtosh, të bazohesh, të mbështetësh mbi” një shkëmb, mbi një themel të qëndrueshëm. Kur ne mbështetemi në fe e në dashuri të Zotit, është e natyrshme pastaj që edhe veprat tona të jenë të vërteta, të mira e në përkim me fjalët e Hyjit e kështu çdo punë e gjest i yni të ndriçohet e frymëzohet nga feja. Prandaj pranë edukimit në liri është i domosdoshëm, edhe edukimi në fe.

Leximet biblike të kësaj së diele nënvizojnë edhe një aspekt negativ, atë të refuzimit. Në Besëlidhjen e Vjetër shiu i rrëmbyeshëm që bie kundër murit të ndërtuar prej profetëve të rrejshëm (Ez 13,9-14) është një simbol i gjykimit të Zotit. Pali apostull flet për privimin e lavdisë së Zotit që është errësirë, hidhërim e heshtje. Libri i Ligjit të Përtërirë e sjell temën e mallkimit. Gjyqi i Zotit e fjala e tij e zbulojnë dhe nxjerrin në dritë brishtësinë e një jete e cila në dukje është e suksesshme por para syve të Zotit është e zbrazët. Kështu fjalët e Jezusit që i dëgjojmë në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele: “Jo secili që më thotë: O Zot, o Zot!” do të hyjë në Mbretërinë e qiellit, na kujtojnë e paralajmërojnë të mos mashtrohemi kot duke ecur pas vlerave të rreme, kalimtare, pas mësuesve që na joshin me premtime të sukseseve e të kënaqësive të përkohshme por t’i përmbahemi udhës që Krishti na tregon e gjurmëve të tij të ecim, për ta realizuar jetën dhe gjetur kuptimin e vërtetë e përfundimtar të ekzistencës sonë njerëzore.
Programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 9-të gjatë vitit ‘A’, mund ta dëgjoni edhe këtu....RealAudioMP3
Homelia nga dom Tomë Mihaj
Paqe e bekim të dashur vëllezër e motra,
Fjala e Zotit që dëgjojmë në Meshë na dhurohet këtë të diel të IX-të të kohës së rregullt apo gjatë vitit kishtar, që është edhe e diela e fundit para kreshmëve. Ajo na ofron një panoramë mësimesh se si duhet të ndërtojmë jetën tonë dhe në cilin drejtim duhet të shkojnë zgjedhjet tona të përditshme.
    Leximi i parë i Liturgjisë së Shenjt paraqet – nga njëra anë – ftesën që profeti i bën popullit të Izraelit për tu kthyer përsëri nga Zoti, ndaj dashurisë dhe ligjit të Tij – dhe nga ana tjetër – zotërimin e lirisë vetjake të secilit për të zgjedhur. Sepse duke ndjekur këtë udhë do të ketë bekim e lumturi; në të kundërt, nëse do të veprojë larg Hyjit, palumturi dhe mallkim. Në rastin e parë vullneti, zemra, veprat i binden Zotit; ndërsa në rastin e dytë veprohet sipas tekave vetjake. Besëlidhja mes Hyjit dhe popullit të vet është e lirë dhe e vullnetshme. Kjo mundësi zgjedhjeje është e pranishme në të gjithë Shkrimin Shenjt: sigurisht kemi të freskët në kujtesë leximin e parë të para dy javëve?! Kishte të njëjtën temë.

Në jetë njerëzore është e mundur të ndërtohet vetvetja dhe bota që na rrethon në mënyrë pozitive e të frytshme ose në mënyrë negative e dështuese. Hyji na kërkon që të zgjedhim të mirën dhe bekimin e Tij: të bëjmë me jetën tonë një vepër arti, e për këtë Fjala e Tij na ofrohet si dritë në udhën tonë.
Krahas kësaj ftese që Hyji na bën për të qenë bij të bekimit – pa na detyruar, na vesh me një dhuratë tjerë të madhe: dhuratën e lirisë. Është një gjë e çuditshme, por e vërtetë, Zoti nuk na pengon që të jemi të shurdh ndaj Fjalës së Tij, nuk na pengon kur ne vendosim të mos i mbajmë urdhërimet e Tij. E vetmja gjë që bën është, se na lajmëron se sa rol të rëndësishëm ka mirëpërdorimi i lirisë sonë: do të kemi “mallkimin”, që në kontekstin biblik do të thotë të jemi skllevër të humbjes dhe të vdekjes, nëse zgjedhim udhën e gabuar. Për të bërë zgjedhjen e duhur leximi i parë i kësaj së diele na kujton se dëgjesa ndaj Fjalës së Zotit duhet të depërtojë thellë zemër dhe në shpirtin tonë. Duhet të jetë Libri që e kemi përherë ndër duar; mendimet tona të jenë ushqyer prej tij, fjalët tona të rrezatojnë mesazhin e tij dhe veprat tona të kenë të vetmin burim frymëzimi. Ja çfarë do të thotë të zgjedhësh udhën e bekimit.

    Ndërsa në leximin e dytë, prej letrës së Shën Palit drejtuar Romakëve, Apostulli na kujton se besimi i krishterë nuk është një grumbull rregullash e ligjesh për t’i mbajtur, sikurse ishte për hebrenjtë në Besëlidhjen e Vjetër – për disa ligji ishte një peshë e rëndë, ndërsa disa të tjerë e mbanin sa për dukje, dhe për këtë ndiheshin “të drejtë” para Zotit – Shën Pali na thotë se besimi ynë qëndron në pranimin e dashurisë falas të Hyjit të zbuluar në Krishtin. Në këtë mënyrë, jetën nuk e shndërron më ligji, por dashuria e Zotit. Për këtë na fton të vendosim në qendër të jetës sonë dashurinë, duke jetuar si vëllezër mes nesh dhe bij të Atit Qiellor.


    Ndërsa Ungjilli i sotëm na paraqet pjesën përfundimtare të «Fjalimit të Jezusit mbi mal». Ai nënvizon rolin themelor të lirisë në jetën e njeriut në marrëdhënie me Zotin, dhe na tregon se përpara një udhëkryqi duhet të bëjmë një zgjedhje: o të ndërtojmë të ardhmen tonë në Zotin ose ta ndërtojmë mbi egoizmin tonë dhe idhujt e tij.

Jezusi bën dy qortime, që në një farë mënyre rimarrin dhe përkryejnë fjalët e Moisiut që lexuam në Leximin e Parë:
    Në të parin: Zotit thotë se është koha për vepra e jo për fjalë. Thotë Jezusi: «nëse dëshironi të jeni nxënës të mitë, kryeni vullnetin e Atit Tuaj, realizoni projektin që ju kam dhuruar nëpërmjet Ungjillit, atë që e kam shpallur me krejt jetën time: lutjen, dashurinë ndaj njëri-tjetrit edhe ndaj armiqve, sakrificë për ata që kanë nevojë, kryerjen mirë të detyrave edhe kur kushton, falja e përhershme, besimi në Zotin edhe në momentet më të vështira të jetës». Me një fjalë, Jezusi na kërkon jo fjalë, por vepra. Të kryejmë veprat që Jezusi na kërkon do të thotë para së gjithash të lejojmë që Fjala e Zotit të formojë mënyrën e të menduarit tonë; dhe qëndrimet e Jezusit të shndërrojnë sjelljen tonë: të bëjmë pak nga pak kthesë në zgjedhjet tona, t’i ripërtërijmë ato vazhdimisht. Ja, sot na kërkohet të ndalemi e të pyesim veten – në dritën e fesë – për cilësinë e jetës që bëjmë.
    Ndërsa në të dytin: Jezusi u kërkon nxënësve të vete që të ndërtojnë jetën e tyre mbi shkëmb, që është Fjala e Tij. Nga fundi i pjesës së Ungjillit që dëgjuam Jezusi na paraqet shembullin e shtëpisë mbi rërë dhe të asaj mbi shkëmb: kush dëgjon Fjalën e Tij dhe e vë në vepër ndërton shtëpinë e vet (= jetën e vet) mbi shkëmb, e cila do tu rezistojë edhe stuhive. Por, kush e dëgjon Fjalën e Tij dhe nuk e vë në vepër, ndërton shtëpinë e vet (= jetën e vet) mbi tokë të paqëndrueshme, të pasigurt: ajo do të rrëzohet sapo të paraqitet vështirësia e parë.

Të ndërtojmë mbi shkëmb nuk do të thotë tu ikim stuhive dhe përrenjve shkatërrues, jo, por të jemi në gjendje që kur të vijë në jetën tonë, të dalim fitimtarë. Sigurisht që do kemi çaste vështirësie – që e tundin fenë tonë – por pikërisht janë këto raste që e forcojnë edhe më shumë. Të gjitha vështirësitë, të mëdha apo të vogla qofshin ato, na bëjnë të ndihemi të varfër para Zotit, dhe për këtë, edhe nevojtarë të Shëlbimin të Tij. Personi që ndërton jetën e vet mbi Fjalën e Jezusit meriton të quhet nga vetë Krishti «i urtë».

Urtësia apo marrëzia e njeriut varet nga pranimi apo refuzimi i vullnetit të Hyjit. Njeriu i ditur ndërton mbi baza të forta e nuk lejon të korruptohet nga interesat e momentit. Ndërsa njeriu jo i urtë beson në një lumturi të çastit, synon të kapë të gjitha mundësitë për të shijuar jetën, për të mbetur pastaj jo-frytdhënës e i humbur përballë provave të jetës.
Nëse besimi na vendos në një marrëdhënie të veçantë me Hyjin, është po aq e vërtetë që besimi pa ushtrimin e përditshëm të mirësisë dhe të shpresës do të ishte bosh dhe pa domethënie: çështje fjalësh dhe dukjeje. Për këtë arsye na kujton Jezusi se «Jo kush-do që më thotë: - O Zot, o Zot -, do të hyjë në Mbretërinë e qiejve».
Jezusi është shumë i qartë: ata që kërkojnë «të drejtën» për të hyrë në Mbretërinë e Hyjit vetëm sepse kanë shpallur fjalën, kanë bërë mrekulli, kanë larguar djajtë – gjëra të mira, të drejta e të mrekullueshme – lutja e tyre nuk do të ketë fryt sepse i kanë bërë këto vepra jo për të lavdëruar Hyjin, por vetveten.
Motra e vëllezër, të zgjohemi nga gjumi i dukjes së jashtme që të mos ndodhë një ditë që edhe ne të dëgjojmë fjalët e hidhura të Jezusit «Nuk ju kam njohur kurrë. Largohuni prej meje», por të veprojmë në mënyrë që sjellja jonë të mund të gjejë mikpritje dhe vlerësim e Hyjit, e të përgatitemi për të dëgjuar fjalët e Tij të ëmbla «ejani të bekuarit e Atit tim dhe banoni me mua për amshim».

Të dashur vëllezër e motra të përfitojmë nga lexime e të kësaj të diele – të cilët na nxisin për të ndërtuar jetën në Krishti – për të bërë një projekt tonin vetjak për kohën e Kreshmëve që tashmë po afrohet. E t’i lutemi Zotit që të udhëheqë hapat tanë dhe vullnetin tonë për të ndërtuar përherë mbi të vetmin themel që është Krishti Zot. Amen.







All the contents on this site are copyrighted ©.