2011-03-04 18:53:29

Protesta e ndeshje në Tripoli


(04.03.2011 RV)Revolta e Libisë vazhdoi sot në Tripoli, me një manifestim proteste, pikërisht në ditën e premte, ditë e lutjes për myslimanët. Pati ndeshje me forcat e rendit e u dëgjuan të shtëna ne lagjen Taxhura, ku kryengritësit kërkuan fundin e regjimit të Muhamar Gedafit. Policia përdori gazin lotsjellës.
Në marrshimin drejt perëndimit, rebelët sulmuan qytetin naftëmbajtës të Ras Lanufit, ku deklarojnë se kanë në dorë aeroportin. Për të tretën ditë rresht, aviacioni i regjimit bombardoi enklavën naftëmbajtëse të Bregës, në duart e kryengritësve, thelbësore për të furnizuar me elektricitet lindjen e vendit. Sipas një dëshmitari, ushtarët e Gedafit kanë qëlluar edhe kundër ambulancave, për të penguar transportimin e të plagosurve në spital. Një avion luftarak libian ka bombarduar edhe një bazë ushtarake në duar të rebelëve, në lindje të vendit.
E ndërsa nafta arrin maja prej 103 dollarësh për një fuçi, bashkësia ndërkombëtare kërkon një rrugëdalje. Interpoli shpërndau sot një urdhër “alarmi global” portokalli, për ta penguar Gedafin dhe 15 anëtarë të grupit të tij, përfshirë familjarët, të largohen nga Libia. Bashkimi Evropian po vlerën bllokimin detar të Libisë, për të siguruar respektimin e embargos së armëve. Komisioni i OKB-së për Refugjatët shprehu frikën se regjimi po pengon mbërritjen e refugjatëve në kufi me Tunizinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.