2011-03-04 18:35:39

Paraqiten Lineamentat për Sinodin 2012, kushtuar ungjillëzimit të ri.


(04.03.2011 RV)“Përgjigjja më e përshtatshme, që u jepet shenjave të kohës, është promovimi i një kulture të rrënjosur thellë në Ungjill”: e ky është edhe ungjillëzimi i ri. Kështu përkufizohet nga Lineamentat e Sinodit të përgjithshëm të ipeshkvijve, me temë “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”, që do të mblidhet në tetor të vitit 2012. Vijat-udhëheqëse, hartuar nga Sekretaria e përgjithshme dhe nga Këshilli i Sinodit, paraqitur sot paradite në Sallën vatikanase të Shtypit, janë shkruar në gjuhën latine, italiane, angleze, franceze, gjermane, spanjolle, portugeze e polake.
Lineamentat, me tre kapituj kryesorë, paraprirë nga hyrja e pasuar nga mbyllja, u janë dërguar Sinodeve të ipeshkvijve të Kishave Lindore katolike sui iuris, Konferencave ipeshkvnore, dikastereve të Kuries Romake dhe Bashkimit të Eprorëve të përgjithshëm të rregulltarëve.
Në qendër të dokumentit, rëndësia e ‘oborrit të paganëve”, nevoja për t’i dhënë përgjigje emergjencës edukative dhe detyra, që ka çdo i krishterë, për ta kumtuar Fjalën e Zotit. Në Lineamentat përfshihet edhe një pyetësor i hollësishëm, të cilit pjesëmarrësit në Sinodin e ardhshëm duhet t’i përgjigjen brenda datës 1 nëntor 2011. Përgjigjet do të analizohen dhe do të përfshihen në Instrumentum laboris, dokument themelor, në qendër të punimeve të Asamblesë së përgjithshme të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, në Vatikan, nga 7 deri më 28 tetor 2012.

Konceptin ‘ungjillëzim i ri’ e përdori për herë të parë Gjon Pali II, gjatë shtegtimit të tij apostolik në Poloni, në vitin 1979. Është përgjigje që u jepet pyetjeve të njerëzve e të popujve në kohët tona, e njëkohësisht, kërkim i shtigjeve, mënyrave e gjuhëve të reja, për t’i përcjellur njerëzimit gëzimin, i cili buron nga Ungjilli. Me një fjalë, ungjillëzimi i ri është mjeti, me të cilin Kisha përballon sfidat e botës, që vijon të shpejtojë hapin në të gjitha fushat e jetës.
U drejtohet atyre, që janë larguar nga Kisha, në vendet ku zu fill feja e krishterë; e edhe atyre që, në vendet e ungjillëzuara, vërtet janë të pagëzuar, por nuk e jetojnë Ungjillin. U drejtohet njerëzve të botës perëndimore, të cilët jetojnë sikur Zoti të mos ekzistonte. Njerëzve që nuk kanë asnjë pikëmbështetje në jetë. Atyre që më kot përpiqen të ecin me shpejtësinë e kohës, duke e ndjerë veten gjithnjë më të kufizuar, në kërkim të sendeve të përkohshme, gjë që i çon drejt humbjes së vlerave të vërteta. E në këto rrethana, i shikojnë gjithnjë më shpesh me dyshim të krishterët e me sy kritik, veprimtarinë e Kishës.
Lineamentat kërkojnë që edhe të krishterët t’i nënshtrohen vetkontrollit të thellë, për të njohur më mirë vetveten e për t’u pastruar nga frika, nga lodhja, nga hutimi. Me bindjen se Kisha nuk dorëzohet e atyre, që dyshojnë se pas ungjillëzimit të ri fshihet prozelitizmi, u përgjigjet me ‘oborrin e paganëve”, a më mirë të themi, me atë hapësirë kushtuar dialogut e lutjes, në të cilën të gjithë njerëzit mund t’i afrohen Zotit, e pikërisht, sepse nuk e njohin ende. Ateistët e agnostikët nuk duhet të tremben – nënvizojnë Lineamentat – sepse ungjillëzimi i ri nuk dëshiron t’i shndërrojë në objekt misioni. E vetmja dëshirë është të mbajë zgjuar në shpirtin e njeriut, frymën e kërkimit të Zotit.
Gjashtë janë skenat, në të cilat duhet të punohet për ungjillëzimin e ri të mijëvjeçarit të tretë: në radhë të parë, skena kulturore, mbi të cilën rëndon me të gjithë forcën shekullarizimi, që e shikon shkëputjen nga Zoti si çlirim e beson se mund të jetohet edhe pa Të. Vërtet nuk përdor më tonet e forta e të drejtpërdrejta, si në të kaluarën, ndonëse antiklerikalizmi nuk është zhdukur. Sot ka nisur të flasë me një ton të shtruar, që depërton më lehtë në jetën e përditshme të njeriut. Rezultati? Vihet në diskutim marrëdhënia burrë-grua, kuptimi i jetës e i vdekjes. Sundon kultura e figurës, kultura e cektësisë. Ndërsa, nga ana tjetër, përhapen gjithnjë më shumë sektet e fanatizmat, që e përdorin fenë për të përligjur dhunën e deri terrorizmin, duke e shpërdoruar kështu në mënyrë të palejueshme.
Skena e dytë ka karaketr shoqëror, e protagonistë janë emigrantët dhe globalizimi. Klima aktuale është “likuide”, thonë Lineamentat. Në të sundojnë ndotja e shkatërrimi i lidhjeve, i vlerave, i kufijve gjeografikë. Me pasoja edhe mbi komunikimin shoqëror – që është skena e tretë – sepse nga njëra anë kultura mediatike e dixhitale u krijon të gjithë njerëzve mundësinë të informohen; ndërsa nga ana tjetër, thekson egocentrizmin, zbeh aftësinë për të reflektuar, e largon njeriun nga përmasa etike e politike e jetës, duke e joshur me rendjen pas sendeve, që sigurohen menjëherë, por që kanë vlerë gjithnjë më të përkohshme, që zhduken shpejt, duke lënë pas shijen e hidhur të kotësisë.

Tri skenat e tjera të analizuara nga Lineamentat, janë ajo ekonomike, shkencore e politike. Në qendër të vëmendjes, nevoja e vendosjes së rregullave të reja në tregun global, për të mbrojtur bashkëjetesën, ashtu si dhe nevoja për të mos i parë kërkimet shkencore e teknologjike – që pa dyshim i kanë sjellë shumë dobi njerëzimit - si një fe të re, që i krijon njeriut kushtet e një jete të lehtë, të begatë, të këndshme.
Përsa i përket politikës, kriza e ideologjisë komuniste dhe dalja në skenë e aktorëve të rinj, si bota islamike e ajo aziatike, krijojnë mundësi të reja, por edhe rreziqe të reja. Paqja, zhvillimi, dialogu, mbrojtja e të drejtave të njeriut, kujdesi për ambientin, janë të gjitha tema, që duhen ndriçuar nga drita e Ungjillit.
Ç’duhet të bëjnë, atëhere, të krishterët? Duhet të jenë, si gjithnjë burim shprese, pa harruar të bëjnë edhe autokritikë – thuhet në Lineamenta – e, sidomos, duhet të bashkohen, si një trup i vetëm, për ta transmetuar me forcë Fjalën e Zotit, duke e pranuar sfidën e ballafaqimit edhe me ateizmin më agresiv e me shekullarizmin më fanatik. Sepse ky është martirizmi i epokës bashkëkohore.
Mjetet kryesore për këtë Ungjillëzim janë të rinjtë, lëvizjet kishtare, jeta e kushtuar, dialogu ndërfetar dhe takimi me Kishat lindore të cilat i përgjigjen me guxim e shpresë persekutimit e intolerancës, duke u bërë, kështu, pikë referimi për të gjithë.

Natyrisht duhet që Ungjilli të jetohet, para se të transmetohet, sepse nuk mund të predikohet një fe, në të cilën nuk beson; një fjalë, të cilën nuk e jeton; një ide, së cilës i kundërvihesh në çdo çast të së përditshmes sate. Liturgjia, katekizmi dhe katekumenati bëhen, kështu, modele paradigmatike të një misioni të tillë.
Lineamentat nuk i fshehin pikat kritike të kristianizmit modern: mungesën e meshtarëve dhe vetminë e katekistëve, e as shkandujt, fajet e mëkatet e bashkësive të krishtera. Janë faqe që duhen shfletuar e duhen denoncuar me guxim – lexohet në dokument – duke praktikuar pendesën e pajtimin, për të pasur fryte sa më të përshtatshme për kohët tona: familje, që i hapin rrugën jetës së re; bashkësi, që dinë të dialogojnë; besimtarë, që nxisin frymën ekumenike, nisma të drejtësisë shoqërore e të solidaritetit e, sidomos, thirrje të reja për t’ia kushtuar gjithë jetën Zotit e të afërmit.
Natyrisht kjo veprimtari kërkon familje, edukatorë dhe ungjillëzues të besueshëm, që e dëshmojnë Ungjillin me të gjithë jetën e tyre; që e shikojnë kumtimin e Lajmit të mirë jo si barrë, që duhet mbartur, por si ilaç, që shëron, që i rikthen njeriut gëzimin e të jetuarit, që i çliron realitetet e burgosura nga frika, e cila i mundon gjithë jetën. Të krishterët nuk mund t’i mbajnë vetëm për vete Fjalët e jetës së pasosur të Krishtit, sepse ato u përkasin të gjithë njerëzve. Çdo njeri i kohës sonë – pavarësisht nëse e di apo nuk e di - ka nevojë për këtë kumt - përfundojnë Lineamentat.







All the contents on this site are copyrighted ©.