Më 4 mars kalendari kishtar përkujton Shën Kazimirin, princ polak
(04.3.2011 RV)Duke shfletuar kalendarin kishtar më 4 mars Kisha përkujton Shën Kazimirin,
pajtor qiellor i Lituanisë. Eshtë vështirë të dallosh kufirin ndërmjet historisë e
gojëdhënës, kur bëhet fjalë për njerëz të shquar, që jetuan në oborret mbretërore
e që vetë populli i tyre i nderoi aq shumë sa që i lartoi në nderimet e elterit, si
për atdhetarinë e tyre, e po kështu edhe për shenjtërinë e jetës së tyre në përkim
me Ungjillin e Krishtit. I tillë është rasti i shën Kazimirit, emër që do të thotë
“komandant i madh”. Kazimiri lindi në Krakovi të Polonisë më 3 tetor 1458 nga prindër
fort të shquar. Bir i mbretit të Polonisë e dukës së madh të Lituanisë Kazimirit IV
dhe i Elizabetës së Austrisë, që njihet me emrin “nëna e mbretërve”, sepse nga 13
fëmijët e saj, vetëm Kazimiri nuk u kurorëzua me kurorë mbretërore. Kur Hungarezët
iu rebeluan mbretit të tyre, Matia Korvino, e princit 13 vjeç Kazimirit i ofruan,
kurorën mbretërore, ky hoqi dorë posa mori veshtë se Papa ishte deklaruar kundër rrëzimit
të mbretit në pushtet. Kur deshën ta kurorëzonin mbret të Hungarisë, ai nuk pranoi.
Madje deklaroi se çka lakmonte më tepër, ishte ideali asketik i varfërisë,
i pastërtisë morale dhe i përvujtërisë, ideale e virtyte të cilat nuk i këmbeu as
me kurorën mbretërore, as me pushtetin e as me përfitime tjera materiale, për të cilat
nuk pati asnjë ambicie, ndonëse nuk i munguar rastet t’i gëzonte të gjithë përnjëherësh.
Djalosh jashtëzakonisht i pashëm, me aftësi të rralla për të qeverisur, i rrethuar
me admirim, ai ia fali gjithë vetveten Virgjërës Mari.
Në lule të moshës, pa
i mbushur mirë 20 vjet, Kazimiri, i cili në këtë kohë jetonte në Lintuani, i përkiste
dinastisë së Jagellonëve, me prejardhje lituane, u sëmurë nga tuberkulozi, sëmundje
e pashërueshme aso kohe. Vdiq në vitin 1484 në Grado të Lituanisë, në moshën 25 vjeçare.
Polakët e lituanët nisën ta nderonin menjëherë, duke e bërë simbol shenjtërie të fesë
së tyre të krishterë e të pavarësisë së vendeve të tyre. Kazimiri u shpall shenjtë
e pajtor qiellor i Polonisë dhe Lituanisë vetëm 40 vjet pas vdekjes së Papës Leonit
X.