2011-03-04 18:38:35

Imzot Eteroviç për Lineamentat: Kisha është e thirrur ta rigjallërojë misionin e vet e t’i zgjërojë horizontet.


(04.03.2011 RV)U paraqitën, pra, sot, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, Lineamentat për Asamblenë XIII sinodale mbi ungjillëzimin e ri. Gjatë paraqitjes, folën edhe imzot Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve si dhe zëvendës-sekretari i dikasterit, imzot Fortunato Freza.

Të krishterët janë të thirrur edhe sot, t’ia përcjellin botës arsyen e shpresës, që kanë në shpirt: këtë nënvizoi imzot Eteroviç, i cili e vuri theksin mbi sfidat dhe mundësitë që ka ungjillëzimi i ri. Prelati ripohoi posaçërisht se kumtimi i Ungjillit ka të bëjë me vetë natyrën e Kishës. Pa të, Kisha nuk mund të kuptohet:
“Mbarë Kisha është misionare për vetë natyrën e saj. Ajo ekziston për të ungjillëzuar. Për ta kryer në mënyrë sa më të përshtatshme këtë detyrë, Kisha niset në radhë të parë nga ungjillëzimi i vetvetes. Ajo e di se nuk është thjesht ungjillëzuese, por edhe fryt i ungjillëzimit, e bindur se aktori kryesor është Zoti, që i prin në shtigjet e historisë, përmes Shpirtit të Birit të tij të vetëm, Jezu Krishtit”.Kisha, shtoi prelati, është e thirrur ta rigjallërojë mandatin e saj ungjillëzues, posaçërisht përballë ndryshimeve të stuhishme të botës bashkëkohore. E ripohoi se është e thirrur edhe t’i zgjërojë horizontet e veta, duke e dëshmuar Ungjillin si në sferën private, ashtu edhe në atë publike, si në gjirin e bashkësive të krishtera, ashtu edhe të të gjithë shoqërisë bashkëkohore, për t’i përcjellë mbarë njerëzimit, gjithnjë më shpesh shpresëhumbur, dhuratën e shpresës së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.