2011-03-04 18:35:13

Benedikti XVI priti presidentin e Islandës.


(04.03.2011 RV)Sot paradite Benedikti XVI priti në Pallatin Apostolik të Vatikanit, presidentin e Islandës, Olafur Ragnar Grimsson, që më pas u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì.
“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – u theksuan në mënyrë të posaçme marrëdhëniet miqësore ndërmjet Selisë Apostolike dhe Islandës, simboli më shprehës i të cilave është figura e Gudridur Thorbjarnardottir, pioniere e fesë së krishterë në Ishull. Prandaj kryetari i shtetit islandez i dhuroi Papës pikërisht figurën e saj, skalitur me art. Shtatorja u punua në kujtim të shtegtimit të Gudridurit në Romë, pak pas vitit 1000, kur u takua edhe me pasardhësin e Shën Pjetrit.
Gjatë audiencës u nënvizua nderimi, që gëzon bashkësia e vogël e krishterë në vend, si dhe kontributi me vlerë, që i jep shoqërisë islandeze, me nismat e veta në fushën edukative e shoqërore, në mënyrë të posaçme, në rrethanat e sotme ekonomike. U thelluan, më pas, tema me interes të përbashkët në nivel kombëtar e ndërkombëtar, me vëmendjen tek roli i vlerave tradicionale në ndërtimin e kombit dhe tek kontributi i Islandës në promovimin e paqes, të bashkëjetesës së harmonishme të bashkësive të ndryshme e në mbrojtjen e ambientit.







All the contents on this site are copyrighted ©.