(03.03.2011 RV)Në Letrën e Shën Palit Apostull drejtuar romakëve thuhet: “Vetë
krijesa ka shpresë të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit, për të pasur pjesë në
lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit” (Rom 8,20-21). Në këtë emision, të dashur dëgjues,
do t’ju njohim me kuptimin e krishterë të fjalës “liri”, e cila merr edhe më
tepër rëndësi në këto çaste, pas revoltave të botës arabe e pas tmerrit të Libisë.
Në
Bibël, flitet që në fillim për lirinë. Njeriu vendoset pranë pemës së njohjes të së
mirës e së keqes dhe është i lirë ta marrë gjykimin mbi të mirën e të keqen nga Zoti,
ose të vendosë vetë për to. Kapitulli II dhe III i Librit të Zanafillës përshkruan
pasojat e lavdishme, por edhe të tmerrshme të lirisë, në varësi të sjelljes së njeriut. Më
pas, në Librin e Daljes, me çlirimin e hebrenjve nga skllavëria e Egjiptit, liria
nuk është thjesht një akt historik, por edhe akt feje, që ka të bëjë me shëlbimin
e njeriut nga Zoti. Prandaj, Hyji është Zot çlirimtar, që e do lirinë dhe rreshtohet
në anën e atyre që nuk e kanë këtë dhuratë themelore. Gjendja e popullit para kësaj
përvoje fetare është, atëherë, ajo që përshkruhet në Librin e Ligjit të Përtërirë:
“Ju vë para sot bekimin dhe mallkimin…Ju vë para jetën e lumturinë, por edhe vdekjen
e mjerimin” (11,26; 30,15). E një dijetar biblik, Siracidi, do të thellohet më
tej: “Hyji qysh në fillim e krijoi njeriun, e la në dorë të vullnetit të lirë dhe
e lëshoi në dorë të dëshirimit të vet… Nëse do t’i mbash urdhërimet edhe ato të ruajnë;
nëse ke besim në Të, edhe ti do të jetosh… Para njeriut jeta e vdekja, e mira dhe
e keqja: çka ai të parapëlqejë, ajo do t’i jepet” (15, 14-18). Zoti nuk është thjesht
noter apo gjykatës i vemdimeve njerëzore. Ndërhyn këtu Hiri hyjnor që e mbështet njeriun
në opcionin për të mirën, por nga ana tjetër kemi edhe tundimin djallëzor drejt së
keqes. Jezusi i tunduar është emblema e personit të lirë, që vendos për të vërtetën
dhe të mirën. Përvijohet kështu një liri me natyrë krejtësisht shpirtërore. Ky
koncept është i pranishëm edhe në Ungjillin e Shën Gjonit, ku lexohet fraza e famshme:
“E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (8,32). Këtu, e vërteta nuk është ajo filozofike,
por zbulesa e Krishtit. Jemi para lirisë së brendshme për ta pranuar plotësisht misterin
e Zotit dhe vullnetin e tij. Shën Pali e konsideron këtë si çlirim nga Ligji i normave
të jashtme, që në të vërtetë vënë në pah vetëm dobësinë njerëzore. Krishti na ofron
një liri, që është bashkim i gëzueshëm e jetësor me ligjin e Shpirtit Shenjt: “Zoti
është Shpirt, e aty ku është Shpirti i Zotit, aty është edhe liria” (2Kor 3,17). Jemi
pra në praninë e një lirie që lulëzon nga shndërrimi i rrënjësishëm i njeriut, për
vepër të Hirit Hyjnor. Pasi bëhen bij të Zotit përmes Pagëzimit, të çliruar nga rregullat
e thata të Ligjit, të frymëzuar nga Shpirti Shenjt, besimtarët zgjedhin lirisht rrugën
e drejtësisë e të dashurisë, duke këputur zinxhirin e skllavërisë së mëkatit. Kjo
është liria e lavdisë së bijve të Hyjit. Është një liri, që duhet jetuar me impenjim,
pa shkandull për të tjerët, siç thekson Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Galatasve:
“Vërtet vëllezër, jeni të grishur në liri! Por, kini kujdes që kjo liri të mos bëhet
shkak të jetoni si do trupi, por, me dashuri, shërbejini njëri-tjetrit” (Gal 5,13).