2011-03-03 13:27:17

Vëllimi i dytë i Librit të Papës “Jezusi i Nazaretit” del më 10 mars, përkthyer në shtatë gjuhë.


Mbarë bota pret daljen e pjesës së dytë të librit, shkruar nga Benedikti XVI, kushtuar Jezusit të Nazaretit, në vitrinat e librarive. Libri, botuar në variantin italian nga Shtëpia Botuese e Vatikanit në bashkëpunim me shtëpinë botuese gjermane Herder, sheh dritën e shtypit katër vjet pas Pjesës I, botuar në vitin 2007 nga Shtëpia e njohur botuese “Rizzoli”. Është vijim i jetës së Jezusit, që përfundon me kryqëzimin e me ringjalljen e Jezu Krishtit Zot.
Libri i Papës Jozef Racinger “Jezusi i Nazaretit”, pjesa II, do të paraqitet të enjten, më 10 mars, në orën 17.00, në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
Edhe kjo pjesë, që nis me hyrjen ngadhënjimtare në Jeruzalem e përfundon me ngjalljen e Krishtit, del nga Shtypshkronja e Vatikanit.
Në paraqitjen e vëllimit të ri të dytë të librit “Jezusi i Nazaretit, do të flasin kardinali Mark Ojé, prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë e profesor Klaudio Magris, shkrimtar e gjermanist i njohur.
Rrëfimi i jetës së Jezusit rinis atje ku teologu Jozef Racinger e pati ndërprerë në vëllimin e parë. E kujtojmë se vëllimi i parë fillon nga Pagëzimi i Jezusit në lumin Jordan e shkon deri tek Shndërrimi mbi malin Tabor.
Ndërsa vëllimi i dytë nis me hyrjen e Jezusit në Jeruzalem, vijon me pastrimin e Tempullit, me larjen e këmbëve, me misterin e tradhtisë e të tradhtarit, Judës.
“Jezusi në atë orë - shkruan Papa – ngarkohet me tradhtinë e të gjitha kohëve, me vuajtjen, që ndjen njeriu i të gjitha kohëve, kur e tradhtojnë. Mbart, kështu, mbi vete, deri në fund të fundit, mjerimin e historisë. Ndërsa kush e prish miqësinë me Jezusin, kush e shkarkon prej vetes “barrën e ëmbël”, nuk e fiton lirinë, nuk bëhet aspak më i lirë, përkundrazi, bëhet skllav i pushteteve të tjera. Kështu edhe Juda që, megjithatë, e bën hapin e parë drejt kthimit: “Mëkatova – u thotë atyre, që e shoqërojnë - përpiqet ta shpëtojë Jezusin e i kthen paratë e tradhtisë. Tridhjetë asprat (dinarët), simbol i të gjitha tradhtive, në historinë e gjatë e të mundimshme të njerëzimit. Simbol i shitjes së padenjë të njeriut, që e flak dinjitetin për kaq pak gjë! Por ky është pendim pa shpresë – vijon Papa – që ka para vetëm errësirë. Pendim që kthehet në dëshpërim. E pendimi që nuk shpreson më në asgjë – shpjegon Papa teolog – është shkatrrimtar. Pendimi i vërtetë sjell me vete sigurinë e shpresës, siguri që lind nga besimi në pushtetin e pakundërshtueshëm të Dritës, mishëruar në Jezusin.
Kështu vepra që do të dalë në librarai më datën 10 mars, vijon deri tek kryqëzimi i Jezusit, deri tek zbritja nga kryqi e tek ngjallja e Tij, në të tretën ditë…







All the contents on this site are copyrighted ©.