2011-03-03 16:17:03

Dhimbja e Papës për vrasjen e ministrit pakistanez Bati. Dëshmia e të vëllait


Papa shpreh dhimbjen e tij të thellë për vrasjen e djeshme në Pakistan të ministrit për Pakicat fetare, Shahbaz Bati, përmes një telegrami të nënshkruar nga kardinali-sekretar i shtetit, Tarçizio Bertone, dërguar kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore Pakistaneze, imzot Lourenc Saldanha. Kujtojmë se ministri Bati u vra nga fondamentalistët islamikë në Islamabad.
Bashkësia e krishterë e Pakistanit doli dje e sot në manifestime spontane e u lut së bashku me shumë myslimanë, që deshën të merrnin pjesë në dhimbjen e bashkëkombasve të tyre. Vendi është në zi për tri ditë, që nesër deri të dielën. Ndërsa ne transmetojmë, në Islamabad mbahet një procesion me qirinj, me lutje e këngë të përshpirtshme.
Nesër, trupi pa jetë i ministrit do të çohet në kishën e Zojës së Fatimës në kryeqytetin pakistanez, ku ipeshkvi, imzot Antoni Rafin do të kremtojë Meshën e dritës. Pastaj, bashkësia e krishterë do të mblidhet në Kushpur, fshati katolik ku ishte lindur Shahbaz Bati e ku do të kremtohet funerali, i kryesuar nga ipeshkvi i Faisalabadit, imzot Jozef Kuts.
Në një deklaratë të përbashkët, Kisha Katolike e Kishat protestante të Pakistanit e kujtojnë ministrin si “një burrë shteti të impenjuar për harmoninë ndërfetare” dhe ngrenë edhe një herë zërin për çështjen e mbrojtjes së pakicave fetare e të lirisë së tyre. Kishat e krishtera i kërkojnë qeverisë të bëjë hapa konkrete për ndaljen e ekstremizmit në Pakistan. Nëse nuk do të ndalen vrasjet e demokratëve e të liberalëve – thuhet në notë – ekstremistët e fanatikët do të ndjehen të legjitimuar për të marrë në dorë pushtetin. Gjatë triditëshit të zisë, të gjitha shkollat e institutet e krishtera do të qëndrojnë mbyllur e besimtarët do të marrin pjesë në lutje e agjërim.
Arritëm të bëjmë një intervistë me të vëllain e ministrit pakistanez, me Paul Batin, mjek specialist në kirurgjinë e urgjencës, që prej vitesh punon në Itali. Folëm me të pak para se të nisej për në Pakistan, ku nesër do të marrë pjesë në funeralin e vëllait:
Po nisem për në Pakistan, ku më presin për funeralin. Nuk di ç’të them, kam mbetur thellësisht i tronditur nga ngjarja. Por e prisnim të gjithë, sepse ai nuk është ruajtur kurrë, është ekspozuar gjithnjë për të tjerët, sidomos për më të varfërit. Vëllai im luftonte për të drejtat e të krishterëve dhe të të gjitha pakicave të shtypura në Pakistan; në veçanti, kundër ligjit mbi blasfeminë, që dënon me vdekje kë fyen Muhametin. Por ky ligj përdorej shpesh kundër të krishterëve për probleme personale, që s’kishin të bënin me fenë. Ai luftoi aq sa të njihej edhe në arenën ndërkombëtare, nga SHBA-të, nga Vatikani e edhe nga shumë vende perëndimore. Kjo i bëri përshtypje qeverisë, aq sa ai gati arriti të paraqiste një projektligj në parlament. Por kush mendon se ligji aktual është i drejtë, ose kush mendon se parlamenti manipulohet nga Perëndimi, ndoshta nuk është dakord me planin e tij. Prej kohësh vëllai kërcënohej me vdekje. Pastaj erdhi rasti i Asia Bibit, një grua shumë e varfër, që u dënua me vdekje duke u bazuar në ligjin mbi blasfeminë. Vëllai luftoi shumë për faljen e saj, së bashku me guvernatorin e Panxhabit, që u vra pak muaj më parë.
Dr. Paul Bati, a mund të na thoni kush ishte vëllai e familja juaj? Ç’lloj edukimi fetar pati marrë?
Ne vijmë nga një familje katolike, që jeton në një fshat katolik të Pakistanit, në Kushpur. Këtu e kemi marrë edukimin katolik. Vëllai studioi jurisprudencë e më pas, ndoqi një kurs për marrëdhëniet ndërkombëtare. Filloi të interesohej për politikën, sidomos kur pa padrejtësitë e Pakistanit. Rasti i parë qe kur propozuan një letërnjoftim të ndryshëm për katolikët e myslimanët. Ai ishte i ri atëherë, 23 vjeç. Filloi të protestojë, udhëhoqi manifestime. Më në fund, arritën t’ia ndryshojnë mendimin qeverisë e që atëherë u impenjua kundër çdo padrejtësie. E jo vetëm në rastin e Asia Bibit. Në të kaluarën ka luftuar edhe për njerëz të tjerë, që dënoheshin nga ligji mbi blasfeminë.
Pas vrasjes brutale të vëllait tuaj, ç’mund të shpresohet për Pakistanin?
Mendoj se ky mund të jetë një çast reflektimi si për njerëzit e Pakistanit, ashtu edhe për Perëndimin. Më kanë telefonuar shumë miq pakistanezë myslimanë, që e dënojnë këtë vrasje dhe nuk janë dakord me diskriminimin e të krishterëve. Bota perëndimore duhet të nxisë reflektimin me ato vende, ku ekziston ligji mbi blasfeminë, duke përdorur armët e dialogut, që ky ligj të shfuqizohet. Diçka duhet bërë, në nivel ndërkombëtar, për ta vazhduar këtë betejë. Duke u njohur me objektivin dhe me flijimin e tim vëllai, shpresoj që njerëzit ta ndjekin…
Pra, puna dhe impenjimi i vëllait tuaj nuk do të shkojnë kot…
Besoj që jo, sepse edhe unë personalisht - jo në mënyrën e tim vëllai natyrisht, por për sa mund të bëj unë – kam vendosur të impenjohem sa më intensivisht, pasi kjo është kauzë e drejtë, është kauza e tij e ne do ta ndjekim, do ta mbështesim. Unë jam mjek në Itali, por do të bëj gjithçka mundem, sepse jam i bindur se kjo vepër duhet vazhduar, duhet përkrahur në të gjitha frontet.
Dr. Bati, sipas jush, kush është pas kësaj vrasjeje: talibanët, apo grupet e tjera të ekstremistëve pakistanezë?
Këtë nuk e di. Kam dëgjuar se talibanët e Panxhabit kanë lënë fletushka, me të cilat marrin përsipër vrasjen. Por, kur shkona në Pakistan, muajin e kaluar, vëllai më pat thënë se ishte kërcënuar dhe se mendonte se herët a vonë do ta vrisnin. I pata thënë: “Duhet të vish në Perëndim për disa muaj, derisa të qetësohen ujrat”. Por ai m’u përgjigj se nëse do të qetësoheshin ujrat, gjithçka do të qetësohej e askush nuk do të kishte menduar më për kauzën e tij, prandaj nuk donte të largohej.
Cila është kërkesa juaj për Kishën universale, për të gjithë besimtarët, për të gjithë katolikët?
Vëllai im ishte i krishterë i bindur, e praktikonte fenë. Prandaj, kush është besimtar, kush ek a fenë e fortë, beson te lutja: këtë dua e jam i bindur se shërben. Të gjithë të krishterët e Pakistanit duhet të reflektojnë mbi këtë situatë, në mënyrë që, në një formë ose në tjetrën, padrejtësitë të zhduken.







All the contents on this site are copyrighted ©.