2011-03-02 13:24:13

Kuvendi i Princave të Arbërit në Lezhës 2 mars 1444


Sot më 2 mars bie 567 vjetori i Kuvendit të Princave të Arbërit në Lezhë, gur themel i bashkimit kombëtar të shqiptarëve

Duke shfletuar kalendarin historik, më 2 mars, përkujtojmë 567 vjetorin e mbledhjes së Kuvendit të Princave të Arbërit në Lezhë, në vitin 1444. Kuvendi i drejtuar nga Venediku u mblodh në këtë qytet të vogël në mënyrë që të shmangeshin konfliktet mes princave dhe të arrihej bashkimi i arbërve kundër turkut.

Kuvendi i Lezhës zgjodhi prijës Gjergj Kastriotin, i cili qysh atë ditë mori komandën e plotë të luftës kundër osmanëve. Filluan kështu 25 vjet betejash, intrigash e tradhtish përmes të cilave u përshkua populli shqiptar drejt udhës së lirisë e pavarësisë nga pushtimi turk. Por këto vjet ishin edhe vjetët e afirmimit të shqiptarëve në arenën politike.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu ia doli të mbrojë Ballkanin jugperëndimor nga turqit të cilët me 29 maj 1453 pushtuan edhe vetë Kostandinopojën. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit Lidhja e Lezhës e bori kuptimin e vet dhe shqiptarët i kaploi letargu i gjatë. Do të zgjoheshin vetëm në 1703 në Kuvendin Kishtar të Arbënit, po afër Lezhës, në fshatin Mërqi, i cili pati po aq qëllime fisnike sa edhe ai i Kastriotit: mbrojtjen e identitetin kombëtar e fetare të shqiptarëve dhe vlerat perëndimore e të krishtera.

Lidhja e 1444-shit në Kuvendin e Lezhës u shërbeu prapë më vonë shqiptarëve si shembull frymëzimi për bashkim në mbrojtje të tërësisë tokësore, kujtojmë këtu Lidhjen e Prizrenit të qershorit të 1878-ës. Ndërsa në këtë ditë, dëshmia që mund të japë Kuvendi i Lezhës është se kur aleancat politike janë të themeluara në vlera e ndjenja të sinqerta e të ndërsjellta japin gjithnjë fryte të dobishme në jetën e një kombi. Kjo është arsyeja që shqiptarët e përkujtojnë me nderim këtë ngjarje e krenohen me të edhe pse kanë kaluar 567 vjet.







All the contents on this site are copyrighted ©.