2011-03-01 17:36:43

Shqipëri: Rreth 4 mijë qytetarë kanë ndryshuar kombësinë


Në Shqipëri, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i ka propozuar Drejtorisë së përgjithshme të gjendjes civile që të kryejë kontrollet e saj, pasi nga verifikimet në gjyqësor rezulton se ka shkelje të rënda.
"KLD po vijon verifikimet. Numri i qytetarëve që kanë ndryshuar kombësinë me procese gjyqësore është 3900, afër 4 mijë. Por nga informacionet që kemi nga gjyqësori kjo mund të jetë maja e ajsbergut pasi ndryshimet mund të jenë bërë në mënyrë administrative. Kërkojmë nga gjendja civile që të bëjë verifikime", deklaroi Spahiu.
Spahiu sjell si fakt të shkeljeve me regjistrat e gjendjes civile në Tiranë, ku nga e njëjta zyrë certifikata e një personi ka dalë njëherë me kombësi greke dhe njëherë me kombësi shqiptare.
Disa qytetarë shqiptarë, që me origjinë kanë qenë shqiptarë, vetëm sepse kanë lindur në Gjirokastër shënohen me kombësi greke. Pastaj ka raste kur zyra e gjendjes civile të njëjtit person njëherë i ka dhënë kombësi shqiptare dhe njëherë greke, thotë Spahiu.

Numri dy i KLD së deklaron se, duhet të përfitohet nga shtyrja e përkohshme e regjistrimit të popullsisë. "Të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e ligjit të gjendjes civile, të bëhen ndryshime në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe një verifikim i falsifikimeve dhe abuzimeve në regjistrat e gjendjes civile", theksoi Spahiu.







All the contents on this site are copyrighted ©.