2011-03-01 16:19:48

Në fuqi, ligji i ri mbi nënshtetësinë, rezidencën dhe hyrjen në Shtetin e Vatikanit


(01.03.2011 RV)Hyri në fuqi sot, norma e re që disiplinon dhënien e nënshtetësisë e përcakton kërkesat për marrjen e rezidencës dhe të hyrjes në Shtetin e Vatikanit. Ndër ata, që kanë të drejtë, figurojnë kardinajtë banues në Shtetin e Vatikanit dhe personeli diplomatik i Selisë së Shenjtë. Ligji i nënshkruar nga Benedikti XVI duhet konsideruar si një lloj “Motu proprio” e Papës dhe zëvendëson ligjin e vjetër mbi “nënshtetësinë e qëndrimin” në Vatikan, i cili daton 1929.
Në krahasim me ligjin e vjetër, që kishte 33 nene, ky i riu ka vetëm katër kapituj e 16 nene. Kujtojmë se normativa e mëparshme u vendos nga Papa Piu XI, disa muaj pas nënshkrimit të Pakteve Laternanense. Shpjegimi i ligjit bëhet nga imzot Xhorxhio Korbelini, kryetar i Komisionit për hartimin e tij, në numrin e 2 marsit të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. Duhet vënë në dukje, thekson ai, se figura e “rezidentit” ka marrë rëndësi gjithnjë e më të madhe në realitetin e Vatikanit. Gjatë viteve, shumë persona, që banonin në Shtetin e Vatikanit, kanë preferuar të mos marrin nënshtesinë, pavarësisht se i plotësonin kërkesat.
Kështu, me ligjin e ri, konsiderohen nënshtetas të Selisë së Shenjtë të gjithë kardinajt, që banojnë në Vatikan ose në Romë. Gjithashtu, është nënshtetas i Papës edhe krejt personeli diplomatik i Selisë së Shenjtë. Mund të marrin nënshtetësinë vatikanase, kush banon në Shtetin e Vatikanit për shkak të detyrës, apo të shërbimit që kryen.
Me rezidencën, hyrjen në Vatikan dhe lejet apo autorizimet përkatëse merret kapitulli II. Vetëm në vitin 2010, në portat e shtetit të vogël të Papës janë regjistruar 2 milion e 400 mijë makina e dyert hapen sidomos për të gjithë ata, të cilët kanë nevojë për farmacinë, ku gjenden ilaçe, që nuk shiten në Itali. Ky ligj nuk zbatohet për atë territor të Vatikanit, ku çdo njeri mund të hyjë lirisht, si për shembull, për Sheshin e Shën Pjetrit, Bazilikën e Shën Pjetrit e Muzetë e Vatikanit, megjithëse në hyrje të tyre janë vënë kontrolle për shkak të rrezikut të terrorizmit ndërkombëtar. Gjatë vitit 2010, në shesh kanë qenë të pranishëm, gjatë audiencave dhe ceremonive, rreth 2 milion e 300 mijë vetë, në Bazilikë, 4 milion e 100 mijë vetë, ndërsa Muzetë e Selisë së Shenjtë i kanë vizituar 4 milion e 600 mijë vetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.