2011-03-01 13:49:46

Më 2 mars bie 567 vjetori i Besëlidhjes së Lezhës, themeli i bashkimit kombëtar


567 vite më parë, më 2 mars 1444 në Kishën katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet edhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës, ku u hodhën themelet e bashkimit kombëtar.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të gjithë princërve shqiptarë, në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut, përbën edhe idenë më të madhe novatore të tij.
Studiues dhe historianë thonë se bashkimi i shteteve të copëtuar feudale ka qenë një ide, e cila është realizuar me vështirësi edhe në vende të mëdha të Evropës. Kështu për shembull Italia është bashkuar në shekullin e XIX në kohën e Garibaldit, ashtu sikundër edhe Gjermania u bashkua gjatë shekullit të XIX në kohën e Bismarkut.
Kujtojmë se në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiajt, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi.
Kuvendi vendosi Skënderbeun, si komandant të përgjithshëm të Lidhjes, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi, udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij kundër pushtuesit osman dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë.
Po t'i referohesh dokumentacionit historik, kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua atje, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë, shmangeshin mosmarrëveshjet e grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë. Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Skënderbeut.
Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë e trevave shqiptare në Evropën perëndimore.
Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës. Më pas ky bashkim i popullit shqiptar do të përsëritej, kur në vitin 1878 do të mbahej Lidhja e Prizrenit.
Në të gjitha këto lidhje, ideja themelore ishte bashkimi pa dallim feje, krahine dhe pikëpamje politike e shoqërore i shqiptarëve për çështjen kombëtare. (nga ATSH-ja)







All the contents on this site are copyrighted ©.