2011-02-28 10:01:59

Ushtria egjiptiane përdor forcën kundër manastireve kopte.


Ushtria egjiptiane sulmoi sot, për herë të dytë, brenda dy ditëve, manastirin kopt të Shën Bishoit në Vada el- Natrum, 110 km larg Kairos. Dy murgjër e gjashtë punëtorë koptë mbetën të plagosur. U arrestuan katër persona: tre murgjër e një avokat kopt, që gjindej në manastir, për të bërë hetime lidhur me sulmin e një dite më parë. Murgu Aksios Ava Bishoi pohoi në mjetet e komunikimit se ushtria sulmoi me katër tanke, me mjete të blinduara e me një buldozer hyrjen kryesore të manastirit, duke u përpjekur të shkatërronte rrethimin, realizuar një muaj më parë, për t’u mbrojtur nga hajdutët, në situatën krejt të pasigurt, krijuar pas revoltës së 25 janarit. Pas kësaj date, manastiri u sulmua nga të ikurit prej burgjeve. - Kërkuam mbrojtje nga shteti, por morëm përgjigjen se nuk mund të na ndihmonte, sepse nuk kishte forca të mjaftueshme – thekson atë Bemva. Na këshilluan t’i dalim zot vetes, sepse nuk mund të bënin asgjë për të siguruar paprekshmërinë e manastirit. Atëherë murgjërit, duke punuar 24 orë pa pushim, ndërtuan një mur në atë anë, ku rreziku ishte më i madh. Më 21 shkurt, ushtria u bëri murgjërve një ultimatum për ta shkatërruar murin, ngritur në trojet e veta, brenda 48 orëve. Me që kërkesa nuk u mor parasysh, në vend që ta ndihmonin manastirin, e sulmuan. E pas protestës së murgjërëve, përmes një komunikate në Facebook, deklaruan se nuk ka pasur kurrfarë sulmi. Murgjërit e Shën Bishout po bëjnë një protestë të re kundër përdorimit të armëve nga ana e ushtarakëve. Ushtria ka sulmuar edhe manastirin e Shën Makarios të Aleksandrisë në Vadi el-Rajan të Fajumit, për të njëjtën arsye. Një murg u plagos, dhjetë të tjerë u rrahën mizorisht. Rreth shtatë mijë koptë demonstruan paqësisht pa katedrales kopte të Kairos, e më pas u drejtuan kah Sheshi Tahrir për të sensibilizuar opinionin publik kundër sulmeve mbi manastiret.







All the contents on this site are copyrighted ©.