2011-02-28 15:36:50

Liria fetare dhe mbrojtja e pakicave të krishtera, në qendër të bisedimeve të Papës me Kryetarin e Parlamentit Evropian Buzhek.


(28.02.2011 RV)Liria fetare dhe mbrojtja e pakicave të krishtera, ishin sot në qendër të bisedimeve të Papës me Kryetarin e Parlamentit Evropian, Jerzhi Buzhek, që më pas u takua edhe me Sekretarin e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, kardinalin Tarçizio Bertone dhe me sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, imzot Dominik Mambertì. Bisedimet, zhvilluar në një atmosferë përzemërsie – njofton një komunikatë e Sallës vatikanase të Shtypit - krijuan mundësinë e shkëmbimit të opinioneve për marrëdhëniet e Kishës katolike me Parlamentin Evropian dhe me institucionet e tjera evropiane. U fol edhe për kontributin që mund t’i japë Kisha Bashkimit.
Gjatë takimit u prekën tema aktuale, si ajo e impenjimit për mbrojtjen e lirisë fetare dhe të pakicave të krishtera në botë. Por, ta dëgjojmë vetë kryetarin, Jerzhi Buzhek, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - That was a very moving meeting…
Ishte sigurisht një takim vërtet prekës, me tematikë të pasur. Për fat të keq, po jetojmë kohë të vështira, kohë shqetësimesh e krize. Të takosh një njeri me fe e me urti kaq të madhe, në këtë situatë, ishte diçka tejet e rëndësishme. E kjo, sepse e kuptuam më së miri sa mund të bëjë Papa për Evropën e për mbarë botën. Diskutuam për ngjarjet e fundme, që tronditën Veriun e Afrikës dhe Lindjen e Mesme. Me shpresën se këto vende do të demokratizohen e se në këto troje do të lindë një shoqëri, që di t’i mbrojë të drejtat e njeriut. Nënvizuam, sidomos, rëndësinë e luftës për mbrojtjen e pakicave fetare, lidhur ngusht me situatën e tyre konkrete në botë. U ndaluam gjërësisht edhe tek Lumnimi i ardhshëm i Gjon Palit II e, natyrisht nuk mund të mos kujtonim fjalimin e Papës Vojtila në Parlamentin Evropian. Së fundi, shfrytëzuam rastin për ta ftuar edhe Benediktin XVI për një vizitë në Parlamentin e Evropës.







All the contents on this site are copyrighted ©.