2011-02-28 16:37:12

Gedafi nuk e lëshon presidencën dhe kritikon OKB-në e BE-në për sanksionet kundër Libisë


(28.02.2011 RV)Lideri i Libisë, Muamar Gedafi nuk lëshon pe para presionit të shesheve dhe atij ndërkombëtar. Madje, në një intervistë për televizionin serb, duke theksuar përgjegjësinë e organizatës terroriste Al Kaida për ç’po ndodh, sfidoi Kombet e Bashkuara, të cilat miratuan sanksione kundër regjimit libian, duke e quajtur rezolutën e OKB-së “pa asnjë vlerë”. Situata në terren është akoma e ndezur, megjithëse qeveria e Gedafit tashmë kontrollon vetëm kryeqytetin. Luftohet akoma afër Mizuratës, 200 km në lindje të Tripolit. Rebelët i janë përgjigjur sulmit të forcave besnike të Gedafit dhe kanë rrëzuar një helikopter, që hapi zjarr kundër stacionit lokal radiofonik.
Ndërkaq, në Zauijah, vetëm 50 km në perëndim të Tripolit, 2000 besnikë të kolonelit kanë rrethuar qytetin, i cili ndodhet në një pozicion strategjik, për shkak të rafinerive të naftës dhe portit. Në Tripoli, qindra kadetë mbahen në arrest në Akademinë ushtarake, pasi kanë refuzuar të bashkohen me regjimin. Mbetet i madh shqetësimi për emergjencën humanitare. Italia është treguar e gatshme të mbështesë hapjen e një korridori humanitar, për mbërritjen e ndihmave. Fillon të mungojë edhe ushqimi. Në Cirenajkë, rezervat mjaftojnë për 2-3 javë. Nunci Apostolik në Tripoli, imzot Tomazo Kaputo bën thirrje për shpëtimin e mijëra refugjatëve nga Eritrea, që duket se janë braktisur nga të gjithë.
Bota po përpiqet të gjejë një mënyrë për të ndalur dhunën. Pas presidentit amerikan Barak Obama, edhe sekretarja e shtetit, Hilari Klinton deklaroi se SHBA-të janë gati të ndihmojnë opozitorët e Gedafit. Përparësia e çastit, sipas saj, është fundi i regjimit dhe shmangja e gjakderdhjes. Këshilli i të Drejtave të Njeriut e ka filluar mbledhjen e tij vjetore, me diskutime mbi ç’po ndodh në vendet arabe. Bashkimi Evropian po shtrëngon darën e vet rreth Gedafit dhe të afërmve të tij: u janë bllokuar pasuritë e u është ndaluar të gjithëve çdo lloj udhëtimi për në Evropë. Gjykata Penale e Hagës ka filluar mbledhjen e materialit, që brenda javës mund të hedhë në gjyq Gedafin për krime kundër njerëzimit. NATO-ja po punon për krijimin e një zone “No fly”, pra, të një hapësire ajrore të pakalueshme nga avionë, që shkojnë e vijnë në Libi, por për këtë është i nevojshëm miratimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Gjermania propozon të bllokohen për 60 ditë të gjitha pagesat për Libinë.
Në ndryshim nga qëndrimi, që mbajtën për Egjiptin, shumë vende perëndimore, me në krye SHBA-të, nuk hezituan të rreshtohen në favor të opozitorëve libianë. Përse amerikanët janë kaq të vendosur në këtë rast? Të dëgjojmë të dërguarin e gazetës italiane “Il Messaggero”, Erik Salerno:
Mendoj se kryesisht për shkak të naftës dhe të pozicionit strategjik të Libisë në Mesdhe. Amerikanët – e jo vetëm ata – kanë frikë se situata mund t’u shpëtojë nga dora e duan të hyjnë sa më shpejt në lojë për të thënë: “Ne jemi me ju e kjo do të thotë se nesër duhet të na falenderoni”.
A mund të mendohet se pas ngjarjeve të Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme qëndrojnë shërbime sekrete ndërkombëtare?
Situatat janë të ndryshme. Përsa i përket asaj egjiptiane, CIA ka njoftuar prej kohësh se gjendja e brendshme në Egjipt ishte e brishtë, e vështirë për Mubarakun e për personat pranë tij. Duhet vënë në dukje diçka e rëndësishme: shërbimet sekrete amerikane dhe ato egjiptiane, së bashku me ushtarakët janë në kontakt të vazhdueshëm. Pra, amerikanët janë të pranishëm në Egjipt, edhe kur nuk është ish-presidenti Mubarak.
Ndërsa në Libi, gjendja është më e ndërlikuar…
Shërbimet sekrete libiane dhe ato amerikane janë lidhur prej vitesh. Edhe në kohët më të vështira, gjatë embargos, amerikanët e libianët flisnin në një farë mënyre. Kjo s’është gjë e re. Por, nuk besoj se janë amerikanët ata, që kanë nxitur procesin e ndryshimeve në Libi.







All the contents on this site are copyrighted ©.