2011-02-28 18:19:33

Benedikti XVI: Kisha të mësojë gjuhën e mjeteve të reja të komunikimit, për ta shartuar Ungjillin në kulturën dixhitale.


Të studiohet me kujdes gjuha e kulturës moderne dixhitale, për ta ndihmuar Kishën në misionin e saj ungjillëzues e për të përfshirë, në këto mjete të reja shprehëse, përmbajtjen e fesë së krishterë. Ky është thelbi i fjalimit të Papës Bendikti XVI, drejtuar sot paradite pjesëmarrësve në mbledhjen plenare të Këshillit të Komunikimeve Shoqërore, që filloi sot e do të vijojë deri të enjten e ardhshme.

Duke kujtuar se mjetet e reja të komunikimit po hapin një rrugë të panjohur më parë në fushën e të mësuarit, të të menduarit e të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, Papa nënvizoi:
“Gjuhët e reja, që zhvillohen në komunikimin dixhital, kërkojnë, ndërmjet tjerash, aftësi intuitive e emotive, më shumë sesa analitike, duke e drejtuar mendimin dhe lidhjen me realietin drejt një organizimi tjetër logjik e duke parapëlqyer shpesh figurën dhe lidhjet hipertekstuale. Dallimi i pastër ndërmjet gjuhës së shkruar e asaj të folur, pastaj, duket sikur zhduket, në favor të komunikimit të shkruar, që merr menjëherë formën e komunikimit gojor”.
Pa mohuar vlerat e gjuhëve të reja, Papa tërheq vëmendjen dhe mbi pikat e dobta, mbi rreziqet, që krijon një situatë e tillë e re në komunikimin njerëzor:
Rreziqet që krijohen, natyrisht, i kanë të gjithë parasysh: humbja e botës së brendshme, cektësia në lidhjet ndërmjet njerëzve, zhdukja e ndjeshmërisë, sundimi i opinionit më bindës, mbi dëshirën për të kërkuar e për të gjetur të vërtetën. E megjithatë, ata janë pasojë e paaftësisë për ta jetuar plotësisht e vërtetësisht domethënien e së resë. Ja sepse reflektimi për gjuhët e teknologjive të reja, është vërtet i ngutshëm”.
I ngutshëm, mendon Papa, sepse kultura dixhitale e vë njeriun para sfidave gjithnjë të reja:
“Kultura dixhitale e vë para sfidash të reja aftësinë tonë për të folur e për të dëgjuar një gjuhë simbolike, që të prin drejt së mbinatyrshmes. Vetë Jezusi, në kumtimin e Mbretërisë, diti të përdorë elemente të kulturës e të mjedisit të kohës së tij: grigjën, arat, gostinë, farët e kështu me radhë. Sot jemi të thirrur të zbulojmë, edhe në kulturën dixhitale, simbolet e metaforat më të gjetura, që mund të na ndihmojnë kur i flasim njeriut bashkëkohor për Mbretërinë e Hyjit”.
Benedikti XVI kujtoi se lidhja gjithnjë më e ngushtë e njeriut me makinat, qofshin kompjuter a telefonë celularë, mund të gjejë, në pasurinë shprehëse të fesë dhe në vlerat shpirtërore, një përmasë edhe më të gjërë, se përmasa e pakufishme, që duket se krijon teknologjia. Synimi i këtij kontributi - të zhvillohet një komunikim vërtet njerëzor:
“Larg çdo entuziazmi të cekët apo skepticizmi, e dimë se Ungjilli është përgjigje që i jepet thirrjes së vulosur mbi natyrën tonë, si qenie të krijuara sipas shembëlltyrës së Zotit të bashkimit. Prandaj komunikimi biblik, sipas vullnetit të Zotit, lidhet gjithnjë me gjuhën e dialogut e të përgjegjësisë, siç na e dëshmojnë, për shembull, figura e Abrahamit, e Moisiut, e Jobit dhe e profetëve, e kurrë me gjuhën gënjeshtare të gjarpërit ose me atë të ngacmimit e të dhunës, që pati përdorur Kaini”.







All the contents on this site are copyrighted ©.