2011-02-26 17:38:12

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


Sot 27 shkurrt e diel, Kisha kremton të dielën e tetë gjatë vitit kishtar e po sot më 27 shkurt, kalendari përkujton edhe festën e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, rregulltar pasionist. Na kujton se kush shpreson në Zotin, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
Të hënën më 28 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin, papë, Shën Romanin,abat e Shën Osvaldin; Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.
Të martën më 1 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Feliçin, papë dhe shën Albinin, ipeshkëv i Anzhé. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfërin që të lutet!”.
Të mërkurën më 2 mars, sipas kalendarit kishtar bie Shën Angjela e Kryqit, virgjër. Liturgjia e ditës na kujton uratën zhigjetore: “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”.
Të enjten më 3 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Kunegonden, bashkëshorte e Enrikut II perandor. Liturgjia na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.
Të premten që vjen më 4 mars, kalendari kishtar përkujton Shën Kazimirin. Liturgjia na kujton se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.
Të shtunën më 5 mars, kalendari do të përkujton Shën Lucjanin I Papë, Shën Adrianin martir e Shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Liturgjia e ditës na kujtojnë se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.
Të dielën e ardhsme, më 6 mars, Kisha do të kremton të dielën e 9-të gjatë vitit kishtar e të dielën më 6 mars nga kalendari liturgjik perkujtohet edhe Shën Roza nga Viterbo, virgjër françeskane dhe Shën Koleta Boilčs, themeluese e klariseve të varfra.
Liturgjia e ditës na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.







All the contents on this site are copyrighted ©.