2011-02-26 17:35:03

Koment i imzot Rishard mbi rezulotën evropiane kundër persekutimit të të krishterëve


Një dokument, që dënon si duhet persekutimet e kohëve të fundit kundër të krishterëve dhe besimtarëve të feve të tjera, u nënshkrua më 21 shkurt, nga 27 ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, mbledhur në Bruksel. Në tekst dënohen me forcë sulmet terroriste kundër të krishterëve dhe vendeve të tyre të kultit, kundër shtegtarëve myslimanë e bashkësive të tjera fetare. Bashkimi Evropian, thuhet në këtë rezolutë, impenjohet me vendosmëri në nxitjen dhe mbrojtjen e lirisë së fesë apo të ndërgjegjes, pa asnjë lloj diskriminimi. Për t’u theksuar, se dokumenti i miratuar është krejtësisht i ndryshëm nga ai që u hodh poshtë në janar, në të cilin përmendeshin pa u specifikuar “pakicat fetare”. Të dëgjojmë komentin e kryeipeshkvit të Bordosë, kardinalit Zhan-Pierr Rishard, zv.president i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës:
I yni nuk është qëndrim i njëanshëm, nuk është dëshirë për t’u shfaqur solidaritetin vetëm të krishterëve. Përkundrazi, është qëndrim kundër çdo lloj persekutimi të çdo lloj besimtari. Por, njëkohësisht, thamë me vete se nëse nuk i mbrojmë ne, ata që sot janë në shënjestër më shumë nga të gjithë, pra të krishterët, kush do ta bëjë? E përgëzoj nismën dhe faktin se ministrat e jashtëm morën këtë vendim në mbrojtje të bashkësive të krishtera të persekutuara, megjithëse ka pasur probleme me pesë vende. Gjithsesi, tani dokumenti ekziston, pasi do të kishte qenë katastrofike të mbeteshim në atë lloj heshtjeje, që vinte nga paaftësia për të marrë një vendim.
Rezoluta e fton përfaqësuesen e politikës së jashtme evropiane, Kathrinë Eshton të japë llogari për masat e marra, që veprimtaria e 27-shes të japë fryte në mbrojtje të lirisë fetare. Çfarë prisni konkretisht?
Ne presim që një numër i caktuar i vendeve të Bashkimit Evropian ta ngrejë zërin kundër atyre shteteve, ku po verifikohen persekutime të pakicave fetare, e të ushtrojë presion. Ekziston prirja drejt heshtjes, për arsye ekonomike apo tregtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.