2011-02-26 17:34:34

Atë Federiko Lombardi: Jo frikë, por miqësi


Protestat e gjakderdhjet në Libi e në vende të tjera arabe shtrojnë para botës perëndimore çështje të mëdha për të zgjidhur, që kanë të bëjnë me të ardhmen jo vetëm të atyre të rinjve manifestues me kokën në rrezik, por edhe të popujve të tjerë, sidomos të atyre që kanë dalje në Mesdhe. Por, ajo që dëgjojmë nga politikanët e të gjitha ngjyrave është frika për pasoja në ekonomi, emigracion, në luftën kundër terrorizmit. A mjafton vetëm të hapim më shumë qendra pritjeje për emigrantët? Këtij argumenti ia kushton editorialin javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm:.......RealAudioMP3
“Dhuna që shoqëron – në veçanti në Libi – kundërshtimin e përhapjes së lëvizjes për shndërrimin e gjendjes politike në vendet arabe, është natyrisht burim dhimbjeje të madhe për vuajtjen e viktimave e të popullsisë, si edhe shqetësim për rezultatet e ardhshme të këtij procesi, pasi dhuna ka gjithnjë rrezik ta bëjë më të vështirë paqtimin. Sigurisht që në shumë nga vendet e interesuara, kemi të bëjmë me një revolucion të madh, të cilin, me sy plot shpresë, vëzhguesit e shohin si një ‘pranverë të mundshme të botës arabe”. Popujt e Perëndimit e kuptojnë se janë kapur në befasi. Shumë e dinë se zhvillimi i vërtetë i popujve arabë në liri e në demokraci duhet të lindë nga brenda, pa ndërhyrje të jashtme të padobishme. Të tjerë kanë frikë e mbyllin kufijtë. Ne na duket se përveç respektit të nevojshëm, duhet gatishmëri e iniciativë për ndihmën konkrete në vështirësitë, që mbart me vete çdo transformim i thellë, si edhe miqësi e dialog ndërmjet popujve e kulturave, sot më shumë se në të kaluarën.
Në kërkesën për rinovim nga ana e të rinjve ka dy përmasa të rëndësishme, që duhen mbajtur parasysh. Falë lidhjeve me emigracionin, shumë vetë kanë një ide pozitive për botën evropiane, për të drejtat e njeriut, për demokracinë e lirinë. Falë mundësive të reja të komunikimit, shumë e ndjejnë veten gati për dialog, me dëshirën për të hyrë në bashkësinë botërore. Si gjithnjë, mundësitë e reja sjellin edhe rreziqe të reja. Por nëse nuk përdoren për aspektet e tyre pozitive, sigurisht që do të mbizotërojnë aspektet negative.
Nëse krejt afër nesh, në bregun jugor të detit Mesdhe, që tashmë është bërë tepër i ngushtë, ekzistojnë të rinj të panumërt, të cilët kanë dëshirë të rriten me më shumë liri, nuk mund të mos bëjmë gjithçka varet nga ne për të hyrë pa frikë në dialog pozitiv me ta, duke i mësuar gjuhët tona të ndryshme njëri-tjetrit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.