Në Libi, luftohet për Tripolin. Bashkësia ndërkombëtare kërkon fundin e dhunës
(25.02.2011 RV)Gjendje gjithnjë e më kritike në Libi. Diplomacia ndërkombëtare
mobilizohet për të ndalur dhunën, ndërsa ndeshjet ndërmjet milicëve të qeverisë së
Gedafit e kryengritësve zhvendosen në Tripoli. Sipas televizionit Al-Arabya, numri
i viktimave në kryeqytet ka arritur në shtatë. Lideri i Libisë Gedafi, sipas po këtij
televizioni, kontrollon vetëm bunkerin, ku është strehuar për t’i shpëtuar revoltës
popullore, por edhe për të komanduar shtypjen e protestave. Bashkimi Evropian duket
se ka arritur një marrëveshje për sanksione kundër Libisë, që do të hyjnë në fuqi
pas disa ditësh. Ndërkaq, ka caktuar 3 milion euro për ndihmën humanitare. NATO-ja
po shqyrton të gjitha mundësitë për ndalimin e dhunës e nuk përjashtohet ndërhyrja
ushtarake. Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet sërish me urgjencë për të
diskutuar mbi rezolutën e propozuar nga Franca dhe Britania e Madhe, e cila parashikon
“embargon e plotë të armëve” dhe “hapjen e një procesi hetimor nga Gjykata Penale
Ndërkombëtare për krime kundër njerëzimit”. Ish-ministri libian i Drejtësisë, Mustafa
Abdel Galil deklaron se Gedafi zotëron armë kimiko-bakteriologjike, të cilat do t’i
përdorë pa hezitim, në rast nevoje.