2011-02-25 19:15:32

Imzot Karrasko De Paula: bota gjithnjë më agresive kundër jetës njerëzore.


(25.02.2011 RV)“Sfida është tejet serioze. Jetojmë e punojmë në një botë gjithnjë më agresive, që vijon t’i kundërvihet përherë e më shumë jetës njerëzore. Prej këndej, misioni ynë në mbrojtje të jetës fiton vlera të reja e, njëkohësisht, kërkon edhe impenjim të ri”. Me këto fjalë, ipeshkvi Karrasko De Paula, kryetar i Akademisë Papnore për Jetën, hapi dje punimet e Asamblesë XVII të përgjithshme, në Sallën e vjetër të Sinodit, në Vatikan. Për imzot Karraskon, emëruar kryetar më 30 qershorin e vitit të kaluar, ishte hera e parë që kryesonte një mbledhje të përgjithshme të dikasterit. Në fjalimin e hapjes, duke ecur në gjurmët e paraardhësve, prelati – sipas njoftimit të L’Osservatore Romano - ripohoi se në qendër të vëmendjes në veprimtarinë e dikasterit që drejton, nuk është ndonjë koncept abstrakt, e aq më pak ndonjë ideologji. Është njeriu konkret. Aq sa Akademia për Jetën mund të quhet edhe “Akademia Papnore për Njeriun”. “Përballë një bote, gjithnjë më agresive kundër jetës e kundër misionit të kësaj akademie, është detyra jonë të ripohojmë me forcë se njeriu duhet mbrojtur; e duhet mbrojtur gjatë gjithë jetës, nga lindja, në vdekje, me të gjitha format e mënyrat e mundshme. E kjo kërkon që ardhmëria të shikohet me sy të rinj. Gjëja e parë që duhet bërë, është thellimi i veprimtarisë studimore. Jemi të thirrur – shpjegoi kryetari i Akademisë Papnore – të përballojmë argumente të ndërlikuara, që kërkojnë kompetenca shkencore, teknike, teknologjike, etike e morale të një cilësie shumë të lartë. Duhet, prandaj, të jemi të përgatitur për të përballuar çdo vështirësi. Shpesh edhe dikastere të tjera të Vatikanit na kërkojnë shpjegime të sakta, që lidhen ngushtë me një problem kaq themelor, siç është ai i jetës dhe i mbrojtjes së saj. Prej këndej, kemi formuar grupe ndërkombëtare studimi, të përbëra nga specialistët më të njohur të disiplinave të ndryshme shkencore, për t’i dhënë përgjigje sa më të sakta tematikave, që duhen përballuar. Dy grupet e para janë marrë me bankat e kordonit kërthizor dhe me tronditjen fizike e shpirtërore pas abortit. Së shpejti do të fillojë punën grupi i tretë i studimit. Do të merret – shpjegoi prelati – me shterpësinë dhe mjekimet, të cilat ndihmojnë për ta kapërceyer këtë situatë, por jo me teknikat mjekësore e biologjike, që krijojnë kushte për riprodhim jashtë proceseve natyrore. Pra nuk do të merremi me lindjen e asistuar, e aq më pak, me kufizimin e dëmeve për shëndetin, që lidhen me procedura të tilla. Ne na intereson të tregojmë rrugët e mundshme alternative.







All the contents on this site are copyrighted ©.