2011-02-25 11:56:36

Don Lush Gjergji: imzot Nikë Prela, dëshmitar e vizionar i çështjes së Kosovës


Më 25 shkurt 2011 bie 15 vjetori i kalimit në amshim i ipeshkvit katolikë shqiptar imzot Nikë PRELËS.
In memoriam:
“Plaku i Kosovës” – Imzot Nikë PRELA /1918-1996/ dhe
“Profeti i Paqes” – Dr. Ibrahim RUGOVA /1944-2006/

T’i përkujtojmë sot dy njerëz të mëdhenj të popullit shqiptar, Imzot Nikë Prelën, ipeshkvin e Kosovës, në 10 vjetorin e kalimit në amshim, dhe dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e parë të Kosovës, një muaj pas ndërrimit të jetës, të cilët kanë lënë gjurma të mira dhe të pashlyeshme në historinë tonë të afërt me angazhim dhe flijim të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe paraqitjen e çështjes së Kosovë, është mjaft vështirë për shumë arsye. Unë do t’i përmendi vetëm dy.
Ata ishin dhe do të mbesin të pavdekshëm jo vetëm para Zotit, si çdo njeri, por edhe para popullit, sepse veprat e tyre, mbi të gjitha flijimi dhe dashuria i bëjnë të tillë. Shkaku tjetër është disi personal, sepse ata ishin miqtë e mi, njerëz të Zotit dhe të popullit, dhe unë pa kurrfarë merita pata rastin, nderin, kënaqësinë, privilegjin, hirin që të isha bashkëpunëtor i thjeshtë i tyre për çështjet tona madhore.
Zoti dhe fati i popullit shqiptar në Kosovë i afroi dhe bashkoi këta dy viganë, kaq të dalluar nga mosha, formimi dhe thirrja jetësore, që me urti dhe me guxim shkonin përpara së bashku me popull, me nderim, mirëkuptim dhe dashuri ishin të aftë për flijime dhe për shërbime shembullore.

Imzot Nikë Prela shpesh më thoshte kështu: “Populli shqiptar ende nuk ka dal në skenë, sepse me shekuj ka qenë i ndrydhur dhe ka vuajtur shumë. Ky “kapital” flijimi dhe gjaku na ka dhuruar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Nënën Terezë. Ajo është vetëm “hyrje”, paralajmërim, antifonë e njerëzve të mëdhenj që kemi pasur dhe do t’i kemi. Unë kam një parandjenjë se kësaj radhe do të bëhet mirë. Shpesh kafshata ishte te goja, por jo edhe në gojë… Deri sa të kemi njerëz tanë që e njohin historinë, të kaluarën tonë, që nxjerrin urti, begati dhe virtyte nga lashtësia jonë, si është edhe Dr. Ibrahim Rugova dhe të tjerët, në kërkim të rrënjëve tona, do të kemi edhe ardhmëri”.

Dr. Ibrahim Rugova, presidenti i parë i Kosovës, në lashtësi, në traditë, në kulturë, sidomos në hulumtimin dhe zbërthimin e jetës dhe veprës së Imzot Pjetër Bogdanit dhe të tjerëve, gjeti vlera dhe virtyte, frymëzim dhe guxim për veprime intelektuale, kulturore, pastaj edhe politike dhe diplomatike.
Ai lashtësinë, traditën, kulturën e vëri në shërbim të së drejtës dhe të vërtetës, të politikës paqësore dhe jodhunore, e cila ishte risi absolute për ish-Jugosllavinë, për Mesdheun dhe më gjerë.

Dr, Ibrahim Rugova thoshte: “Arma jonë e fuqishme është historia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Nëse do ta mundim urrejtjen, ndarje dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik…S’ka rëndësi kush do të fitojë në zgjedhje, me rëndësi është të fitojë paqja, demokracia…Tani vetëm intelektualët mund ta mbrojnë popullin nga barra serbe. Kjo është e drejta dhe detyra jonë, vazhdimi i veprës së vetëdijesimit, si dhe ndërtimi i identitetit tonë…Me çdo mënyrë kemi kërkuar zgjidhjet e mundshme paqësore, por gjithnjë kemi qenë të injoruar dhe të diskriminuar. Prej nesh kërkohet që të heqim dorë prej vetvetes, që mos të jemi shqiptarë, se vetëm ashtu do të ishim “të mire” për diktaturën serbe. Ne duam dhe kërkojmë në mënyrë demokratike që t’ na pranojnë për atë çka jemi, pa e dëmtuar askënd…Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullit… Kemi mbetur pa struktura, pa pushtet, pa liri. Kisha Katolike në krye me ipeshkvin tonë Imzot Nikë Prela gjithkund na paraqet dhe na del zot, si edhe gjatë tërë historiesë sonë…”1,2,3.

Imzot Nikë Prela dhe dr. Ibrahim Rugova për herë të parë janë takuar në mbarim të shkurtit 1981, pas vizitës së ipeshkvit në Vatikan dhe takimit me papën Gjon Pali II /5 shkurt 1981/. Me atë rast Ipeshkvi me gojë dhe me shkrim i tha Papës kështu: “…Shenjtëri, bëni diçka për Kosovën tonë e cila gjendet para shpërthimit…”.
Papa, pasi na dëgjoi me shumë vëmendje dhe dashuri, tha: “Mos kini frikë, komunizmi dhe ateizmi ka vdekur, është në fazën e fundit. Fitorja është e Zotit dhe e popullit, e lirisë dhe e demokracisë…”
.
Imzot Nikë Prela ia rrëfeu dr. Ibrahim Rugovës këtë takim dhe i tregoi për takimet e shumta që patëm në Vatikan dhe gjetiu. Me atë rast ia dhuroi dy vëllime të “Dritës”: Besëlidhja e Re dhe Nëna jonë Terezë.

Dr. Ibrahim Rugova çmoi lartë takimin dhe dy librat duke thënë: “Kjo është mënyra më e mirë për ta mbrojtur dhe paraqitur popullin tonë botës…”.

Pas këtij takimi u krijua një miqësi, mirëkuptim dhe bashkëpunim i rrallë dhe shumë i dobishëm. Këta dy njerëz të dalluar u kuptuan me pak fjalë, edhe pa fjalë, sepse në mendje dhe në zemër kishin të mirën e popullit.

Gjatë viteve të 80-ta patën shumë takime, bisedime, shqyrtime, analiza për gjendjen e Kosovës, sidomos rreth krijimit të strategjisë paqësore dhe jodhunore, veçmas pas heqjes së autonomisë së Kosovës, gjatë pajtimeve të gjaqeve, themelimit të SHHB “Nëna Terezë” dhe në krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor. Pa këta dy njerëz vendimtar në këtë lëvizje, e cila na paraqiti para botës në dritën më të mirë, dhe na ruajti nga rrënimi dhe masakrimi masiv, vështirë do të shpëtonte populli shqiptar.

Më kujtohet mirë fjala profetike e dr. Ibrahim Rugovës: “Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet. Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një faze kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës”.

Imzot Nikë Prela në instancat më të larta kishtare dhe qeveritare
gjithnjë ka thënë dhe shkruar: “Dr. Ibrahim Rugova është njeri i dërguar prej Zotit për shpëtimin e popullit shqiptar në Kosovë. Ai sintetizon mirë të kaluarën tonë, parashtron të tashmen dhe ka vizion për ardhmëri. Atë duhet përkrahur si shprehje e dëshirave dhe nevojave të mirëfillta të kohës dhe të popullit…”.

Dr. Ibrahim Rugova në takim me Imzot Nikë Prelën me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit dhe të ngritjes së bustit të tij në oborrin e Kishës Katolike në Prishtinë/ 10 dhjetor 1989/, ndër të tjera tha: “Shkëlqesi, tani kemi mbetur pothuaj pa asnjë strukture. Ju dhe Kisha Katolike keni mundësi ta paraqitni gjendjen tonë në botë dhe t’ na mbroni, siç bëri gjatë shekujve kleri ynë, sidomos Imzot Bogdani dhe shumë të tjerë… Bota ka besim në Ju. Ne duhet të bashkëpunojmë sa më tepër…”.

Imzot Nikë Prela iu përgjigj kështu: “Kisha jonë është dhe do të jetë gjithmonë me popullin e nëpërkëmbur. Pa popull s’ do ta kemi as Kishën. Çdo shqiptar është vëllai apo motra ime… Unë në popullin tim shqiptar e gjeta vetveten, gjeta mundësinë t’ i shërbejë Zotit dhe popullit sipas parimit të Imzot Pjetër Bogdanit: Fati i popullit tim është fati im!…”.

Në një takim tjetër në fund të gushtit 1993 Imzot Nikë Prela i tha Kryetarit dr. Ibrahim Rugovës : “Kryetar i dashur, kudo që shkoj nëpër botë më përgëzojnë për qëndrimet dhe veprimet tuaja të matura e paqësore. Unë kam shkruar e propozuar në shumë qarqe që Populli i Kosovës në krye me Kryetarin, me Ju , meriton Shpërblimin Nobel për Paqe, sepse Ju jeni Gandi ynë…”.
Pastaj si në hoka vazhdoi: “Edhe Ju e keni një të metë, si edhe unë dikur, duhanin, për edhe kjo është pjesë e jetës dhe e traditës. Unë jo vetëm Ju çmoj, nderoj, admiroj, por edhe Ju dua dhe Ju përkrahu për të mirën e Kosovës… Ju jeni një Njeri i thjeshtë, dhe pas Nënës Terezë, biri i saj shpirtëror, si edhe mbarë populli shqiptar, vërtet Njeri i madh... Jeta, vepra, synimet, idealet, strategjia e Juaj, do të kuptohet dikur më vonë, dhashtë Zoti që mos të jetë tepër vonë…”.
Dr. Ibrahim Rugova ndërhyri: “Lehtë është të jesh i mirë, kur e kemi një ipeshkëv si Ju, një popull kaq të mirë dhe të përmbajtur…Çmimin Nobel e ka fituar populli shqiptar me Nënën Terezë. Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Terezë, por edhe Ju, Shkëlqesi. Gjon Pali II angazhohet gjithnjë për paqe në mbarë botën dhe është vendosmërisht kundër dhunës dhe luftës kudo. Nëna Terezë me dashuri e përfitoi mbarë njerëzimin. Atëherë përse mos ta ndjekim rrugën e tyre për krijimin e paqes dhe të demokracisë edhe në Kosovë? Ju falënderoj personalisht për përkrahjen morale dhe shpirtërore. Së bashku, me ndihmën e Zotit, me përkrahjen e Vatikanit dhe të botës, me bashkëpunimin tonë, do të arrijmë paqen dhe demokracinë edhe në Kosovë…”.

Me rastin e vdekjes së Imzot Nikë Prelës 25 shkurt 1996, Dr. Ibrahim Rugova pati thënë: “Shëmbëlltyra e ndritshme e Ipeshkvit Prela do të mbetet gjithmonë në kujtesën historike të Kosovës, kurse vepra e tij gjithmonë e gjallë e që frymon brenda nesh”.
Ditën e varrimit të tij Presidenti Rugova e shpalli ditë zie për Kosovën.

Udhëtimet, takimet, bisedimet dhe paraqitjet e shumta të përbashkëta që i pata me Dr. Ibrahim Rugovën në Kosovë dhe në botë, s’ do të realizoheshin pa pëlqimin, përkrahjen e Imzot Nikë Prelës.

Po i përmendi vetëm disa:
Takimet me Papën Gjon Pali II;
Flaminio PICCOLI, Kryetarin e Demokristianëve në nivelin botëror;
Roberto FORMIGONI, nënkryetarin e Parlamentit Evropian;
Imzot Claudio CELI, nga Sekretari e Shtetit të Vatikanit;
Kardinal Fiorenzo ANGELINI, Sekretarin e Vatikanit për Shëndetësi dhe shumë të tjerë.

Në takimin e fundit të Imzot Nikë Prelës me dr. Ibrahim Rugovën /4 shtator 1995/, pas mjekimit njëmujor në Milano, ipeshkvi tashmë me këmbë të amputuar, në karrocë, iu drejtuar kështu Kryetarit: “Tani edhe unë i përngjaj Jezu Krishtit, popullit tim shqiptar, sepse vuaj shumë dhe të gjitha ia paraqes Zotit për të mirën e popullit tonë, për Ju dhe punën Tuaj të madhe në dobi të paqes…”

Presidenti dr. Ibrahim Rugova, dukshëm i emocionuar nga gjendja shëndetësore si dhe nga fjalët e Ipeshkvit, tha: “Ju, Shkëlqesi, keni vuajtur dhe vuani edhe tash shumë, por të gjitha i keni përballur trimërisht, guximisht dhe heroikisht. Zoti Ju ndihmoftë, bekoftë dhe shpërbleftë për të gjitha!”.

Këta dy njerëz të rrallë dhe tejet të dalluar, kishin besim në Zotin dhe në popullin, mbi të gjitha shpresa për një të ardhme më të mirë dhe më të lirë. Ata e dhanë “pjesën më të mirë të vetvetes” për ne, për Kosovën tonë, e tani na mbetet neve që testamentin e tyre shpirtëror mos ta harrojmë, por me përkushtim dhe dashuri ta zbatojmë.

Dy mendje dhe dy zemra, dy jeta dhe dy personalitete, dy veprimtarë dhe dy dëshmitarë të çështjes së Kosovës, dy vizionarë të drejtësisë, të vërtetës dhe të dashurisë, na “zbardhën” fytyrën, na nderuan dhe ndihmuan para Zotit dhe para botës, duke vënë gur themelin e së tashmes dhe të ardhmes më të mirë dhe më të lumtur në Kosovë dhe më gjerë.
Zoti i shpërbleftë në amshim, e ne, mbarë populli shqiptar me mallëngjim dhe falënderim i kujtoftë dhe kurrë mos i harroftë! Pushofshin në paqe! Amen.
Don Lush GJERGJI







All the contents on this site are copyrighted ©.