2011-02-24 16:23:43

Çelësi i fjalëve të Kishës: ç'do të thotë "i shenjtë"


(24.02.2011 RV)Të dashur dëgjues, në Kishën Katolike flitet shpesh për “shenjtërimin” e jetës, duke marrë si shembull jetën e shenjtorëve, në epoka të ndryshme të historisë njerëzore. Por ç’do të thotë “shenjt” për të krishterët? Kjo është fjala, që do të shpjegojmë sot.
Zakonisht i konsiderojmë si sinonime dy fjalë të ndryshme “i shenjtë”, marrë nga “sanctus” në latinisht, dhe “sakros”, që përkthehet gjithsesi “i shenjtë”. Në të vërtetë, pavarësisht nga ngjashmëria, këto dy mbiemra nuk përkojnë plotësisht. Të përpiqemi të përcaktojmë vijën ndarëse ndërmjet tyre, duke pasur parasysh edhe se në gjuhët biblike, ato shprehen me të njëjtën fjalë: “qadôsh” në hebraisht dhe “hàghios” në greqisht. Ajo që përkufizohet si “sakros” është një realitet objektiv, i izoluar, që i kushtohet shërbimit hyjnor. Kështu për shembull, “sakros” është hapësira që rrethohet për të ndërtuar një tempull, “sakros” është meshtari, që bëhet mbarështues i tempullit dhe i riteve, “sakros” janë edhe objektet, ose ushqimet, ose kafshët, që flijohen në nder të Zotit.
Siç kuptohet, “sakros” ka të bëjë me gjëra, që bëhen të shenjta me anë të një riti. Është pra, një cilësi objektive, që përcaktohet me rregulla e vuloset nga bekimi i Hyjit. Vërtet, në Sinai, Izraeli paraqitet si “një mbretëri priftërinjsh e një popull i shenjtë”, që i kushtohet Zotit (Dal 19,6). Po ky përkufizim do të përdoret më vonë për Kishën edhe në Letrën e parë të Shën Pjetrit(2,9). Të shohim tani se në ç’mënyrë përdoret termi “sanctus” e ç’kuptim ka “shenjtëria” për të krishterët.
Shenjt është ai, që jo vetëm merr pjesë në sakralitetin e fesë, pra në çdo gjë që ka të bëjë me kultet e ritet, por e pranon Zotin me fe e dashuri, duke jetuar në mënyrë të drejtë. Në këtë rast, koncepti është subjektiv e jo më objektiv, pra shenjtëria lind nga brenda personit, nga liria, vullneti dhe veprimtaria e tij. Profetët kanë luftuar gjithnjë për të penguar çdo lloj ndarjeje ndërmjet “sakros” objektive të riteve dhe “sanctus”-it të pranimit subjektiv e personal të Zotit nga ana e besimtarit. Duket sikur ata janë më tepër në favor të impenjimit për shenjtërimin e jetës në të gjitha fushat (lexo Is 1,10-20 ose Am 5,21-24). Në fakt, profetët kërkojnë që sakraliteti i flijimit, i riteve dhe i liturgjisë të përkojë katërcipërisht me shenjtërinë e jetës, shprehur përmes drejtësisë, dashurisë dhe së vërtetës.
Në këtë dritë kuptohet pse Zoti është “shenjt, shenjt, shenjt”, siç përsërisin serafinët, parë nga Isaia profet në ditën kur Zoti e thërret në shërbim të Tij(6,3). Zoti është shenjt, së pari, sepse është transhendent, diçka tjetër në krahasim me kufizimet dhe mjerimin e krijesës njerëzore, pra “sakros” dhe, së dyti, sepse është i drejtë, i vërtetë, është një Zot moral, që nuk qëndron indiferent para së keqes, pra është “sanctus”. Kur në Atynën themi: “U shenjtëroftë emri yt”, i kërkojmë Zotit t’ia zbulojë të gjithëve jo vetëm misterin e Tij, por edhe vullnetin e Tij, që të bëhet normë jete për besimtarët. Vërtet, Atyna vazhdon: “u bëftë vullnesa jote si në qiell, ashtu në dhe”.
Atëherë, është pikërisht përmes kësaj ndërthurjeje ndërmjet “sakros” dhe “sanctus”, që duhet t’i interpretojmë mënyrat si thirret Krishti - si për shembull nga Simon Pjetri në Ungjillin sipas Gjonit: “Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit”(6,69) – apo edhe vetë të krishterët, që quhen gjithnjë “shenjt” në Besëlidhjen e Re. Ata janë të tillë, pasi kanë marrë Pagëzimin, por edhe sepse jetojnë drejt, duke iu bindur Fjalës së Zotit e të Krishtit. Njësoj, Kisha është bashkësi kushtuar Zotit me anë të ritit, por edhe e shenjtëruar përmes bamirësisë e dashurisë së impenjimit të vet. Siç u thotë Shën Pali Apostull të krishterëve të Romës: “Sikurse dikur i vinit gjymtyrët tuaja në shërbim të fëlligështisë e të shrregullimit, që ju çonte në kryengritje kundër Hyjit – ashtu tani vihuni në shërbim të drejtësisë, që të shenjtëroheni”(Rm 6,19).







All the contents on this site are copyrighted ©.