2011-02-24 16:22:03

Ekspertët mendojnë se revoltat në vendet arabe nuk janë me karakter fondamentalist islamik


Revoltat popullore, nga Algjeria në Bahrein, po prishin ekuilibrin tradicional ndërkombëtar, por nuk bëhen në emër të Islamit. Kjo është bindja e shumë ekspertëve, pavarësisht se sot, grupi i Al Kaidës në Libi u bashkua me protestuesit, që kanë tashmë në dorë lindjen e vendit. “Nuk është feja, por politika, në themel të krizës në zonë”, shpjegon intelektuali dhe analisti politik libanez, Raduan Al Sajid:
Ajo që po ndodh është se kohët e fundit, miliona e miliona vetë në Egjipt, në Tunizi, në Jemen, në Algjeri, në Libi dalin në rrugë e sheshe jo për të kërkuar shtetin islamik, por demokracinë, mundësitë e barabarta, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në jetën politike. Nuk them se nuk ekziston radikalizmi në fenë islame, por pas këtyre ngjarjeve, lind natyrshëm pyetja: a është e mundur që problemi i vërtetë të vijë nga Islami, apo Islami nuk hyn fare në këtë mes?
Mbi problemet e protestat e botës arabe u diskutua dje në konferencën me temë “Axhenda e bashkëjetesës”, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Të dëgjojmë këshilltarin e saj shpirtëror, imzot Vinçenco Palja, ipeshkëv i Terni-Narni-Amelia-s:
Sot ndodhemi përpara një gjendje të re: shohim se në bregun jugor të Mesdheut po bëhen ndryshime, që nuk i prisnim. Do të thotë se ndoshta i kemi kuptuar pak këto shoqëri. Ndoshta, duke qenë të kujdesshëm vetëm në marrëdhëniet institucionale e qeveritare, jemi larguar nga realiteti konkret e nga aspiratat e njerëzve.
Gjatë konferencës suaj, njerëz që vinin nga sheshet e vendeve arabe, treguan episode, që na bëjnë të mendojmë për të ardhmen e përbashkët të të krishterëve e myslimanëve…
Tregonte, ky mik nga sheshi, se si një e krishterë kopte hoqi shallin, e shtroi përtokë, sepse myslimani afër saj donte të lutej. Gjeste të tilla na venë përpara cektësisë me të cilën i mendojmë këto situata, nganjëherë.
Të habit edhe mënyra me të cilën manifestuesit kërkojnë liritë e barazitë e demokracisë…
Kërkesa për liri e demokraci e këtyre të rinjve u bë pa dhunë: këtë duhet ta nënvizojmë. Kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme, përkundrazi! Se mungon një klasë politike për ta udhëhequr këtë proces, kjo është e vërtetë. Prandaj, duhet të kemi kujdes. Nuk mund të rrimë e të shohim se ç’do të ndodhë. Ja pse Perëndimi duhet të rizbulojë përgjegjësitë e veta para shoqërive të këtyre vendeve e të mos mendojë vetëm për gazin, për naftën e për interesat qeveritare, siç ka ndodhur deri tani.







All the contents on this site are copyrighted ©.