2011-02-23 18:32:14

Pëkujtohet Shën Polikarpi i Smirnës, ipeshkëv e martir.


(23.02.2011 RV)Polikarpi i njohu nga afër Shën Gjonin Apostull dhe të tjerët, që kishin parë Zotin. Prandaj na paraqitet si dëshmitar i jetës apostolike dhe njeri i traditës së gjallë, siç shkruan ai vetë në letrat drejtuar filipianëve e maqedonëve të krishterë.
Jetoi në heshtje e fshehtësi, duke mos pasur besim në forcat e veta, sepse tepër plak e i lodhur. Por kur i erdhi koha të dilte haptas, diti ta mbrojë me një guxim të jashtzakonshëm fenë e vet.
Fundin e tij e njohim nga një dokument, që mban datën 23 shkurt 155. Është një tregim me vlerë të madhe historike, hagjiografike e liturgjike.
I zvarrisur para Prokonsullit Stazio Quadrato - rrëfehet në dokument - Polikarpi u ftua ta mohonte Krishtin. E ai u përgjigj duke tundur kokën: "Që prej 86 vjetësh i shërbej e nuk më ka bërë kurrnjë të keqe: e si të blasfemoj kundër Mbretit tim, që më shëlboi?
- A e di se mund të të djeg të gjallë? - i tha Prokonsulli.
- Zjarri me të cilin më kërcënoni - përgjegji Shenjti - të djeg për një çast, por pastaj kalon; unë ia kam frikën zjarrit të amshuar të dënimit!"
E ndërsa digjej i gjallë në mes të amfiteatrit të Smirnës, Ai i lartonte Zotit një lutje të shkurtër, por të dalë nga zemra: " O Zot, qoftë lavdëruar emri yt i adhuruar në shekuj të shekujve, nga Jezu Krishti, meshtar i amshuar e i gjithpushtetshëm - e qoftë i nderuar emri yt së bashku me Jezusin e Shpirtin Shenjt sot e përgjithmonë e jetës!".
E sakaq, trupi i pjekur, u kthye në një grusht hi. Mbetën, siç vijon të tregojë dokumenti - vetëm pak eshtra, që u ruajtën si gurë të çmuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.