Papa, në audiencën e përgjithshme, kushtuar Shën Robert Belarminit: nuk mund të ketë
reformë në Kishë, pa reformën vetjake e pa kthesën e zemrës.
(23.02.2011 RV)Audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit
VI në Vatikan, Papa ia kushtoi një figure të madhe të krishterimit, Shën Robert Belarminit,
kardinal jezuit e dijetar i Kishës. Në përfundim të takimit të përjavshëm me shtegtarët
e besimtarët, Ati i Shenjtë bekoi ‘Pishtarin benediktin të paqes” që, pas pak ditësh,
do të niset nga Norçia drejt Anglisë, si simbol pajtimi e solidariteti ndërmjet popujve.
Bari shpirtrash,
prijës i madh, e model i njeriut që lutet: këto, sipas Benediktit XVI, ishin tiparet
themelore të Shën Robert Belarminit i cili, me shkrimet e tij të teologjisë e të përshpirtërisë,
luajti një rol të dorës së parë në Kishën e pas Koncilit të Trentit, për t’iu përgjigjur
Reformës protestante, lindur nga kriza e thellë fetare: “Ai i shmanget
toneve polemike e agresive kundër ideve të Reformës, por, duke përdorur argumentet
e arsyes e të traditës së Kishës, e shpjegon qartë e me sukses doktrinën katolike”. Anëtar
i një numri të madh kongregatash, Kardinali jezuit kreu edhe detyra të rëndësishme
diplomatike. E megjithatë, barra e rëndë e drejtimit të Kishës, nuk e pengoi të ecte
ditë për ditë në rrugën e shenjtërisë. E në sa ecte në këtë rrugë, i kushtoi vëmendje
të veçantë predikimit e katekizmit: “Predikimet dhe katekizmat e
tij kanë karakterin thelbësor, që ai e përvetësoi nga edukimi injacian. Synojnë përqendrimin
e të gjitha forcave të shpirtit tek Zoti Jezus, për ta njohur thellë, për ta dashur,
për t’i përngjarë”. Në shkrimet e tij – vijoi Papa – thekson me forcë se
mësimet e Zotit duhet të zënë vendin e parë në jetën e çdo njeriu. Prej këndej, vend
të parë duhet të ketë edhe lutja. E ai jo vetëm që e predikoi këtë, por edhe e jetoi.
U bë model i shkëlqyer i njeriut gjithnjë në lutje: një lutje, që ushqehet me Fjalën
e Zotit, që e dëgjon këtë Fjalë; model i njeriut, që nuk pyet për interesat vetjake,
por e lëshon me gëzim gjithë vetveten në dorë të Zotit: “Shenjë dalluese
e përshpirtërisë së Belarminit është perceptimi i gjallë personal i mirësisë së pambaruar
të Zotit. Prej këndej, Shenjti ynë ndjehej vërtet bir i dashur prej Tij. E ishte burim
i një gëzimi të madh çasti kur, me qetësi e thjeshtësi, gjunjëzohej për t’u lutur
e për të kundruar Zotin”. I formuar me përshpirtërinë injaciane – shtoi
Benedikti XVI – Belarmini na lë trashëgim, si normë të sigurtë për të jetuar mirë
e, sidomos, për të bërë një vdekje të mirë, meditimin e shpeshtë e serioz mbi çastin
e fundit, çastin kur njeriu do të japë llogari para Zotit për të gjitha veprat e
veta. Nga i cili nuk mund të shpëtojë askush. Prej këndej, edhe porosinë të mos përpiqemi
për të mbledhur pasuri mbi këtë tokë, por të jetojmë thjeshtë, me zemrën plot dashuri
të krishterë, sepse vetëm kështu njeriu mund të grumbullojë pasuri për qiell, ku hajduti
nuk hyn dot e tenja nuk mund të brejë. Dijetari i Kishës i bën thirrje të fuqishme
klerit e besimtarëve për reformimin e jetës: “Belarmini na mëson me qartësi
të madhe e me shembullin e vetë jetës së tij se nuk mund të flitet për reformë të
vërtetë në Kishë, në se kësaj reforme nuk i paraprin reforma personale, kthimi i zemrës
sonë në rrugën e Zotit”. Ngjarjet e favorshme a të pafavorshme, pasuritë
a varfërinë – tha Papa duke i bërë jehonë njërit nga shkrimet e jezuitit - njeriu
i urtë nuk i kërkon e nuk i pranon duke pasur parasysh vetëm vetveten. Të gjitha ngjarjet,
të këndshme a të pakëndshme, që na pëlqejnë a na trondisin, janë të mira e të dëshirueshme
vetëm në se vihen në shërbim të lavdisë së Zotit: “Nuk janë fjalë të dala
nga moda, por për t’u medituar gjatë e për të orientuar rrugën tonë mbi këtë tokë.
Na kujtojnë se fundi i jetës sonë është Zoti, Hyji që u dëftua në Jezu Krishtin, në
të cilin vijon të na bëjë thirrje e të na premtojë bashkimin me Të”. Këto
fjalë - shtoi Benedikti XVI - na kujtojnë sa rëndësi ka t’ia besojmë vetveten Zotit,
të shkrijmë gjithë jetën në shërbim të Ungjillit, ta ndriçojmë me fe e lutje çdo rrethanë
e çdo veprim të jetës sonë, gjithnjë të prirur drejt bashkimit me Të. Në përfundim
të audiencës, Papa përshëndeti dhe i uroi përzemërsisht mirëseardhjen delegacionit
nga Norçia e Kasino, që solli në Sallën e Palit VI në Vatikan, “Pishtarin benediktin
të Paqes”. Pishtari – shpjegoi Papa - do të niset më 1 mars për Londër, ku do të ndriçojë
në një kremtim ekumenik: “Të dashur miq, ndërsa ju falënderoj për vizitën e
sotme, uroj që nisma tradicionale të kontribuojë për gjallërimin e dritës së fesë,
posaçërisht në Evropë, e të përhapë, kudo që ndrit, harmoni e pajtim”.