2011-02-23 15:53:29

Letër e Bamir Topit për politikanët: duhet dialog


(23.02.2011 RV)Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi u dërgoi sot një letër krerëve të të gjitha partive, të cilët i akuzon se e mbajnë vendin peng. “Prej disa muajsh – shkruan presidenti - vendi ynë vijon të jetë peng i kontradiktave politike dhe konfliktualitetit politik, institucionet përfaqësuese nuk janë tërësisht funksionale dhe imazhi i Shqipërisë është dëmtuar ndjeshëm në raport me Bashkimin Europian dhe partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë. Ky zhvillim negativ kulmoi me ngjarjet tragjike të 21 janarit, ku në rrethana të papranueshme u shënuan akte dhune ndaj institucioneve të shtetit dhe humbën jetën katër qytetarë”.
Bamir Topi kërkon që hetimet për ngjarjet e 21 janarit të bëhen pa ndërhyrje politike dhe u tërheq vëmendjen partive, duke vënë në dukje se kriza aktuale është pasojë e mungesës së dialogut dhe e vënies së interesave personale mbi ato publike dhe institucionale. Duke u kërkuar të kontribuojnë për rivendosjen e qetësisë e të mirëkuptimit, presidenti i Shqipërisë tregohet i gatshëm të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve, aty ku është e nevojshme, që vendi të ecë si duhet drejt zgjedhjeve administrative të 8 majit, gur prove për nivelin e demokracisë shqiptare edhe në sytë e bashkësisë ndërkombëtare.








All the contents on this site are copyrighted ©.