2011-02-22 16:59:40

Shugurohet meshtar katolik një klerik luteran i martuar.


(22.02.2011 RV)Harm Klueting, 61-vjeçar, pastor luteran u shugurua meshtar katolik në Gjermani nga kryeipeshkvi i Këlnit kardinali Joakim Maizner. Meshtari në fjalë është i martuar dhe kurora e martesës, si sakrament, vazhdon t’i njihet e vlefshme. Ndërkaq e shoqja e ish-pastorit të kthyer në katolicizëm, Edeltraut Klueting, është bërë murgeshë karmelitane që në vitin 2004. Papa Benedikti XVI i dha Klueting-ut një leje të posaçme për t’u bërë meshtar katolik e në të njëjtën kohë pa e prishur sakramentin e shenjtë të martesës që e lidh me bashkëshorten e vet.
I pyetur nga gazetarët, zëdhënësi i Sallës së Shtypit të Vatikanit Atë Federiko Lombardi tha se është diçka e rrallë por që ka ndodhur edhe në të kaluarën. “Janë gjëra që nuk ndodhin çdo ditë” vuri në dukje Atë Lombardi.
Klueting dhe e shoqja ishin luteranë kur u martuan në vitin 1977 dhe që të dy kanë shërbyer si klerikë luteranë përpara se të ktheheshin e të bëheshin katolikë, para disa vjetësh.
Klueting është profesor i historisë teologjike pranë Universitetit të Këlnit dhe mëson Teologji Katolike në universitetin e Friburgut në Zvicër.







All the contents on this site are copyrighted ©.