2011-02-22 15:35:23

Mesazhi i Papës për Krezhmët 2011: “Me Krishtin u varrosët në Pagëzim, më Të edhe u ringjallët”


(22.02.2011 RV)RealAudioMP3 “Përmes takimit personal me Shëlbuesin tonë e përmes agjërimit, lëmoshës dhe lutjes, rruga e kthimit në Zot drejt Pashkëve na udhëheq në rizbulimin e Pagëzimit”: ky është thelbi i mesazhit të Papës Benedikti XVI për Krezhmët e këtij viti. Mesazhi, që u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, ka si temë: “Me Krishtin u varrosët në Pagëzim, më Të edhe u ringjallët”.
Ati i Shenjtë gjen që në fillim lidhjen ndërmjet Pagëzimit dhe Pashkëve të Ringjalljes. Shpjegon se Pagëzimi është dhuratë e Hyjit, pasi askush nuk e meriton jetën e amshuar me forcat e veta. Është mëshira e Zotit, që shlyen mëkatin e na lejon takimin me Krishtin. Një lidhje e veçantë, vazhdon Papa, ekziston ndërmjet Pagëzimit e Krezhmëve, si çast i favorshëm për të eksperimentuar Hirin hyjnor, që shëlbon. Vërtet, gjithmonë Kisha e shoqëron Lutjen në prag të Pashkëve me kremtimin e Pagëzimit. Në këtë Sakrament realizohet misteri i madh, për të cilin njeriu vdes, pra çlirohet nga mëkati dhe bëhet pjesëmarrës në jetën e re të Krishtit të Ringjallur, pasi në të dikohet i njëjti Shpirt i Shenjtë, që ngjalli Jezusin nga të vdekurit. Kjo dhuratë falas, që na jep Zoti – thekson Benedikti XVI – duhet të gjallërohet gjithmonë në secilin prej nesh e Krezhmët na ofrojnë rastin për ta bërë këtë.
Por si? Papa vë në plan të parë dëgjimin e Fjalës së Zotit, përmes Ungjillit të pesë të dielave të Krezhmëve.
E para na bën të reflektojmë mbi gjendjen e njeriut mbi tokë. Ungjilli flet për tundimet e Krishtit dhe për fitoren e tij mbi djallin. Edhe ne, nënvizon Ati i Shenjtë, jemi të thirrur të luftojmë kundër zotëruesve të kësaj bote të errët, në të cilën djalli vepron e nuk lodhet, as sot, ta tundojë njeriun, që dëshiron t’i afrohet Zotit. Me fitoren e Krishtit mbi të, edhe ne kemi shpresë për jetën tonë.
Ungjilli i Shndërrimit të Zotit, në të dielën e dytë të Krezhmëve, na vendos para syve lavdinë e Krishtit. Është ftesë për t’u distancuar nga zhurma e jetës së përditshme për t’u zhytur në praninë e Hyjit. “Ai – shkruan Papa – dëshiron të na përçojë çdo ditë, një Fjalë që hyn thellë në shpirt, ku ndan të mirën nga e keqja dhe na e forcon vullnetin për të ndjekur Zotin”.
të dielën e tretë të Krezhmëve, Jezusi i kërkon samaritanes ujë. Është dhurata e Shpirtit Shenjt, që i bën të krishterët “adhurues të vërtetë”, në gjendje t’i luten Atit “në shpirt e në të vërtetën”. Vetëm ky lloj uji – thekson Papa Racinger – mund të na e shuajë urinë për të mirën, të vërtetën e të bukurën!
E diela e të verbërit që nga lindja, i cili shërohet nga Jezusi, na e paraqet Krishtin si drita e botës. Mrekullia e shërimit është shenja se Krishti, bashkë me sytë e ballit, dëshiron të hapë edhe sytë e zemrës, që feja jonë të bëhet gjithnjë e më e thellë e që ta njohim Atë si të vetmin Shëlbues, që e nxit njeriun të jetojë si “bir i dritës”.
Për të dielën e pestë, atë të ringjalljes së Lazrit, Ati i Shenjtë shpjegon: “Feja në ngjalljen e të vdekurve dhe shpresa në jetën e pasosur na i hapin sytë për të parë qëllimin e fundmë të jetës sonë. Zoti e ka krijuar njeriun për ringjalljen e për jetën e, kjo e vërtetë i dhuron përmasën autentike e përfundimtare historisë së njerëzve, ekzistencës së tyre personale e jetës së tyre shoqërore, kulturës, politikës dhe ekonomisë”.
Papa vë pastaj në dukje cilat janë mënyrat e tjera për ta jetuar sa më mirë periudhën e Krezhmëve. Agjërimi, lëmosha, lutja e impenjimi për kthimin e zemrës kah Zoti – nënvizon Benedikti XVI – janë praktika tradicionale, që na edukojnë si ta përjetojmë gjithnjë e më rrënjësisht, dashurinë e Krishtit.
Më anë të agjërimit – thekson Ati i Shenjtë – duke u privuar nga diçka, mësohemi ta largojmë vështrimin nga vetvetja për të zbuluar Dikë tjetër, Zotin në të afërmit tanë. Më anë të lëmoshës, mësojmë të mos i konsiderojmë idhuj pasuritë e të mirat personale e të mos e zëvendësojmë Zotin me to. Më anë të lutjes, mësojmë të gjejmë kohë për Zotin, të hyjmë në bashkim intim me Të, të shpresojmë pa u deziluzionuar në jetën e amshuar, që Ai na ofron. Ndërsa kthim në rrugën e Zotit do të thotë ta lejojmë Shpirtin Shenjt të na shndërrojë, si Shën Palin në rrugën e Damaskut, të na e orientojë jetën sipas vullnetit të Zotit, të na çlirojë nga egoizmi e nga instinkti i dominimit mbi të tjerët e të na e hapë zemrën për bamirësinë e dashurinë e Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.