2011-02-22 15:46:26

Gedafi i flet popullit libjan e përmend reforma të thella. Ministri i mbrojtjes: “Protestat të frymëzuara nga terroristët islamikë.”


(22.02.2011 RV)“Në dhunën që ka përfshirë Libinë ditët e fundit ka dorë një grup të rinjsh kriminelë të manipuluar nga forcat e jashtme, përfshi edhe Al –Kaedën.” deklaroi sot paradite për mjetet e informacionit Ministri i mbrojtjes së Libisë.
Shoqatat humanitare që veprojnë në vend thonë se në protestat kundër qeverisjes së Gedafit kanë mbetur disa qindra të vdekur.
“Duke përfituar nga kjo dukuri që po terrorizon qytetarët, që ka pezulluar tregtinë, frikësuar tregtarët dhe rrezikon garantimin e shërbimeve të tjera si shëndetësia dhe arsimi, disa të rinjtë dhe të rritur kanë shtënë në dorë armë dhe municione nga depot e armatimit.” – lexohet në deklaratën lexuar në televizionin shtetëror libjan.
“Ata janë kriminelë. Ushtrisë i është dhënë urdhër të mbështesë forcat e sigurisë në mënyrë që të spastrohet vendi nga këto grupe terroriste. Ajo çka po ndodh në Libi është vepër e një grupi të rinjsh në shërbim të disa qarqeve të huaja, si Al-Kaeda dhe qarqe të tjera të dyshimta.” – përfundon deklarata e ministrit të mbrojtjes së Libisë.
Ndërkaq Gedafi mbajti një fjalim ku i premtoi popullit reforma të thella.
Sidoqoftë protesta në vend vazhdojnë. Po ashtu, në Egjipt personeli i ambasadës së Libisë uli flamurin në gjysmë shtizë dhe u bashkua me qindra protestues që po manifestonin përpara ndërtesës së ambasadës e që kërkonin largimin e diktatorit Gedaf.







All the contents on this site are copyrighted ©.